Berisha bën një shkrim me pseudonim dhe kërcënon si Toto Riina

Postuar në 18 Gusht, 2013 04:27

Dy ditët e fundit është komentuar gjatë një “çarçaf” kërcënues i botuar në Rilindjen Demokratike. Gazeta “DITA” është interesuar dhe ka zbuluar se letra kërcënuese është shkruar nga vetë Berisha. Përmbajtja e shkrimit është tejet e rëndë. “Sikurse duhet ta dijë se çdo kundërveprim është shumë herë më i  fuqishëm se veprimi që ai do të ndërmarrë”, ka shkruar Berisha ndër të tjera, një gjuhë që të sjell ndërmend  terminologjinë e bosit mafioz të “Cosa Nostra” Salvatore Riina. Në komentin e vet, RD thotë se PD mund të merrte për seli dhe vet godinën e Kryeministrisë dhe më poshtë vazhdon me kërcënimet e saj. Ja disa fragmente të këtij shkrimi të pazakontë që duket si letër-kërcënuese e hartuar nga kreu i një organizate kriminale:
“PD do të meritonte seli të sajën godinën më madhështore të këtij vendi. Mund të meritonte jo “SHQUP-in” se është disi larg qendrës së kryeqytetit, por do të meritonte Ministrinë e Mbrojtjes, atë që kjo qeveri në këto tetë vite e transformoi tërësisht nga një institucion i primitivizmit të drejtimit ushtarak që më parë i kishte përkitur edhe aleancës famëkeqe të Paktit të Varshavës, në një qendër të mirëfilltë operacionale të drejtimit modern të ushtrisë së një vendi tashmë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut”.
“Por, mund të meritonte edhe selinë e Kryeministrisë. Pse jo! Është forca që ka bërë historinë e këtij vendi nga rrëzimi i diktaturës komuniste në vitet  ’90-’92 dhe që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend normal evropian me standarde demokracie të niveleve të demokracive funksionuese.”…
“Nëse Rama ka vendosur të bëjë dordolecin e Paktit të Varshavës sikurse tentoi mbrëmë, nëse ai vërtet mendon se vota e gënjeshtërt e 23 qershorit i jep atij pushtet për t’i gjetur vendin edhe forcës më të madhe politike të këtij çereshekulli, bën mirë që të kthjellohet, të kthehet me këmbë në tokë sa më parë dhe të kuptojë se ai është kalimtar në politikë dhe në këtë botë, ndërsa PD do të jetë edhe shumë kohë, pasi ai të ketë shkuar”.
“…Rasti i reagimit ndaj selisë së PD është dëshmia më e qartë, se Rama kërkon ta nisë pushtetin e tij me konflikt. Shenjat e revanshit janë dhënë edhe më parë ashtu sikurse edhe të babëzisë. Duhet ta dijë se, askush nuk do t’i ikë konfliktit që ai kërkon të nxisë”.

“Ashtu sikurse ai t’a kërkojë, ashtu edhe do të marrë përgjigjen. Format dhe mjetet le t’i zgjedhë vetë. PD nuk është në realitet, opozita e atyre numrave të deformuar që do të ketë nesër në Kuvend. Është shumë më tepër. Nuk janë ato numra që e përcaktojnë forcën e PD. Megjithatë, nëse Rama do të tentojë të testojë duke provokuar, ai është në të drejtën e tij, sikurse duhet ta dijë se çdo kundërveprim është shumë herë më i  fuqishëm se veprimi që ai do të ndërmarrë”.
“PD-në nuk mundi ta ndalë të ketë selinë e vet në ditët më të vështira të veta, as diktatura, as Ramiz Alia dhe as Komitetet e Shpëtimit. Nëse kjo i shkon në mendje këtij pinjolli që po sillet si qen i rrahur, nëse mendon se mund të bëjë çfarë të dojë me të drejtën e kësaj force politike për të pasur selinë e vet, atëherë duhet ta lexojë dhe rilexojë mirë historinë, e cila nuk nis ditën kur Rama do të bëhet Kryeministër”…

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.