Berisha ankohet te Cannon: Qeveria do të shkarkojë kryetaren e ILDKP

Ish-kryeministri Berisha ka pritur sot në një takim ambasadorin britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, të cilit i është ankuar për kryeministrin Rama. Berisha tha se Rama po shkel Kushtetutën e vendit.
“Gjatë këtyre muajve, ai ka dhunuar me vendime të qeverisë, nenet e Kushtetutës që garantojnë pronën, banesën dhe simbolet; ka dhunuar ligjin për statusin e nëpunësit civil; ligjin e pushtetit vendor dhe atë të urbanistikës; ligjin e Policisë së Shtetit; ligjin e statistikave të vendit; atë të Komisionit të Prokurimeve Publike; ligjin e Agjensisë së Pastrimit të Parave; ligjin e Inspektoratit të Ndërtimit; ligjin për bordin e mediave dhe audiovizionit (AMA) etj”, tha Berisha.
Ish-kryeministri ka akuzuar Ramën për shkelje të standardeve evropiane dhe emërime të pamerituara në postet kyçe të administratës.
Ai tha se Rama ka vendosur në krye të Policisë së Shtetit një komisioner të Partisë Socialiste, në krye të Agjencisë së Pastrimit të Parave ka vendosur kryefinancierin e PS, në krye të Institutit të Statistikave anëtarë dhe drejtues të strukturave të PS dhe G-99, ndërsa në krye të Komisionit të Prokurimit Publik ka vendosur një nga personat më të politizuar të vendit.
Berisha u ndal edhe te çështja e kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka, të cilën sipas tij krerët e maxhorancës “duan ta shkarkojnë për të fshehur lirisht pasuritë e tyre”.
“Sulmi kundër institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura të vendit, është axhenda kryesore e qeverisë. Kështu, për të fshehur pasuritë e tyre, qeveria Rama-Meta do me çdo kusht të shkarkojë kryetaren e ILDKP. Sot, në gjykatat e vendit, përfshi edhe atë Kushtuese, ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit, madje të kërcënuar me telefon ose nga mesazherë nga vet Rama. Me shpejtësi po shkohet drejt rrënimit të shtetit ligjor, ndërkohë që korrupsioni po rritet në mënyrë galopante dhe trafiqet janë shumëfishuar”, tha ai.
Dita
Add new comment