Beqja: 95% e shqiptarëve me paga më të larta pas 23 qershorit

Partia Socialiste ka premtuar se pas ardhjes në pushtet, paga neto për 95% e shqiptarëve do jetë më e madhe, për shkak të uljes së taksave përmes taksimit të ndershëm. Sekretari për Programin, Ilir Beqja, i ka cilësuar si gënjeshtër deklaratat e kryeministrit Berisha për taksën e sheshtë.
“Sot Kryeministri Berisha tentoi sërish të sulmonte taksimin e ndershëm, që është propozimi ynë në programin për Një Rilindje Shqiptare. Kryeministri Berisha tha se falë taksës së sheshtë kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kjo është gënjeshtër. Sot, si rezultat i taksës së sheshtë mësuesit dhe shtresa e mesme paguajnë taksa më të rënda se tetë vjet më parë, ndërkohë që paratë që mbeten nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Taksimi i ndershëm që ne propozojmë do të ulë taksat për 95% të familjeve shqiptare dhe do të bëjë të mundur që paga neto të jetë më e madhe se sa është sot”, ka thënë Beqja.
Ai ka theksuar më tej se si rezultat i taksës së sheshtë, borxhi publik vijon të rritet. Sipas tij Shqipëria ka raportin me të keq të borxhit publik me të ardhurat tatimore, pra të aftësisë për të gjeneruar të ardhura që të mund të shlyhet borxhi.
“Berisha Gënjen sepse do të fshehë dështimin në mbledhjen e të ardhurave në vitin 2012. Berisha tha se taksimi i sheshtë shton vendet e punës. Gënjen. Vetëm gjatë katër viteve të fundit, si rezultat edhe i taksës së sheshtë, në Shqipëri janë humbur plot 51 mijë vende pune. Dhe kjo është një shifër e prezantuar nga vetë INSTAT-i i Kryeministrit.
Berisha tha sot se taksa e sheshtë afron investitorët e huaj. Gënjeshtër. Nga Shqipëria po largohen investitorë seriozë. Para 1 viti Praktiker, para dy muajsh Mercator, së fundmi ACR dhe CEZ, ndërsa vetëm dje u njoftuam se është kërkuar shpallja e falimentimit për Citypark.
Berisha tha se taksa e sheshtë lufton evazionin dhe korrupsionin. Sërish gënjen. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Bashkimi i Investitorëve Gjermane, Bashkimi i Dhomave Shqiptare të Tregtisë, por mbi të gjitha edhe raporti i Transparency International, denoncojnë korrupsionin në rritje, represionin dhe zhvatjen e administratës tatimore ndaj biznesit. Fakti është se sot Shqipëria gjendet më keq se kurrë e zhytur në korrupsion.
Duket se Sali Berisha, në kohën kur Regan dhe Thatcer, si qeveritë më të djathta në Amerikë e Angli, zbatonin taksën progresive, ishte tejet i zënë me punët e tij si sekretar i Partisë së Punës, ndaj vijon të llomotisë për taksën e sheshtë”, ka përfunduar Beqja.
SHQIP
Add new comment