Begzim Isa akuzohet për trafik fëmijësh, familjarët: Djali ynë është i pafajshëm

Familjarët e Begzim Isës, i cili është arrestuar për rrëmbimin e fëmijëve, kanë protestuar sot para gjykatës, duke thënë e gjitha kjo është një inskenim i policisë së Kukësit. Begzim Isa studion në Kosovë dhe dyshohet se bën pjesë në një bandë të trafikimit të fëmijëve, ku dje është arrestuar pasi në shtëpinë e tij, iu gjet një fëmijë 8 vjeç, të cilin prindërit e të miturit e kishin denoncuar në polici si të zhdukur.
Nëna e Begzimit, Shpresa Isa, shprehet se djali i saj ka qenë në gjumë kur e ka arrestuar policia, ndërsa 7-vjeçari në banesën e prindërve të tij.
Nëna e Begzimit, thekson se djali i saj dhe 7-vjeçari patën një zënkë të vogël, por hedh poshtë pretendimet se i bir ka rrëmbyer dhe ka mbajtur në banesë fëmijën.
“Nuk pranojmë asnjë nga akuzat e policisë dhe prokurorisë. Begzimi s'ka marrë asnjë fëmijë, aq më pak nipin e nipit. Arrestimi i tim biri është inskenim i policisë së Kukësit”, shprehet nëna e 19-vjeçarit.
“Vëllai im ka qenë në gjumë kur u arrestua nga policia kurse fëmija ka qenë në banesën e tij në momentin kur u arrestua Begzimi”, tha Blerimi Isa, vëllai i autorit të dyshuar.
Madje vëllai shprehet se nëse Begzimi gjendet fajtor, atëherë të pushkatohet.
Begzim Isa, banor i fshatit Orgjost, u arrestua pasi akuzohet se rrëmbeu dhe mbajti në banesë 24 orë një fëmijë të mitur me iniciale A.F. për qëllime trafikimi.
Pas ngjarjes së djeshme, ku ditën e shtunë 19-vjeçari Begzim Isa dyshohet se ka rrëmbyer një fëmijë për arsye trafikimi, është rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e publikut zhdukja e vogëlushes Belona Mata, 3 vjet më parë.
Arrestimi i 19-vjeçarit Begzim Isa ka rikthyer edhe një herë në vëmendje rastin e Bleona Matës, 6-vjeçares, e cila rezulton e zhdukur që prej 3 vjetësh në fshatin Zapod të Kukësit.
Policia është duke hetuar për të zbuluar informacione të tjera rreth zhdukjes së Belona Matës, pasi edhe familja e saj, të gjitha dyshimet i hedh mbi 19-vjeçarin Begzim Isa.
Gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, ka theksuar se ka shumë dyshime që 19-vjeçari të ketë gisht në zhdukjen e Bleonës duke qenë se ai është daja i njërës prej vajzave që kanë shoqëruar pasditen e 22 majit Bleonën në mal, ditë në të cilën edhe u zhduk.
Po ashtu, dyshimet e tij ai i bazon edhe në ngjashmëritë që personi ka me përshkrimin që i bën gjyshja e Bleonës, mashkullit që ka parë atë ditë të ngjitur pas vajzave. Zeneli po ashtu fakton edhe shoqërimin e Qamiles në polici.
Bleona Mata është zhdukur, në mënyrë misterioze, në malin e fshatit Zapod, teksa shoqërohej nga 5 kushërirat e saj, pasditen e 22 majit të vitit 2010. Kërkimet për të u shtrinë në të gjithë vendin, por edhe jashtë tij, por deri tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saj.
SHEKULLI
Add new comment