BE thërret ekspertin e Venecias

Postuar në 18 Prill, 2013 08:05

Nisur nga situata e fundit politike, Bashkimi Evropian ka thirrur për konsultime në Tiranë ekspertin e Komisionit të Venecias, Nikolai Vulkanov. 

Lajmin për ardhjen e tij e kanë konfirmuar për Top Channel burime diplomatike. 

Vulkanov, një ndër ekspertët më të mirë për legjislacionin zgjedhor, do të japë opinionin e tij për situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Pas këtyre sugjerimeve, misioni i Bashkimit Evropian do të formulojë qëndrimin e tij zyrtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

Në fillim të javës Bashkimi Evropian iu bashkua shqetësimeve të faktorit ndërkombëtar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarit të LSI në KQZ. 

Përmes një komunikate për shtyp dërguar mediave pasditen e së hënës, BE kritikoi lëvizjet e fundit të mazhorancës, të cilat sipas tij cënojnë besueshmërinë e proçesit zgjedhor të 23 qershorit.

“BE-ja shpreh shqetësim dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë lidhur me pasojat e mundshme të votimit në Parlament tek besimi i njerëzve në proçesin elektoral”, thuhej në komunikatë. 

Përmes misionit të tij në kryeqytet, Unioni vlerësoi më tej se, “të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”. 

Ndërsa më herët gjatë muajit ishte zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, që në një intervistë telefonike për Top-Channel deklaroi qëndrimin e Komisionit Europian ndaj kësaj çështjeje, e cila po ndiqet me shumë shqetësim. 

Zoti Stano nënvizoi faktin se, sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhen shkarkuar nga detyra në një mënyrë profesionale, të paanshme dhe duhet të funksionojnë pa pengesa, në mënyrë transparente e jo partizane. 

“Duhet të garantohet pavarësia e KQZ-së, pasi anëtarët e zgjedhur janë betuar të jenë jo të njëanshëm dhe të pavarur. Të gjitha palët politike kanë detyrimin të sigurojnë kredibilitetin e KQZ-së, duke garantuar po ashtu edhe besueshmërinë e këtij komisioni tek publiku”, deklaroi Stano. 

Zëdhënësi theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vlerësimin që do të japin vëndet antare të BE-së. 

”Zgjedhjet, sigurisht edhe fushata elektorale, do të duhet të tregojnë një shenjë tjetër maturie të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. E gjitha kjo do të jetë objekt vlerësimi nga vendet anëtare kur ato të marrin një vendim për Shqipërinë, gjatë proçesit të negociatave për zgjerim”, tha Stano. 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.