BE plan miliarda eurosh për punësimin e të rinjve

Bashkimi Europian ka rënë dakord për një fond disa miliarda dollarësh në përgjigje të krizës së papunësisë ndër të rinjtë që ka çuar në paralajmërime për një brez të humbur. Edhe pse BE-ja po kalon nëpër një krizë ekonomike, planet e saj për zgjerimin vazhdojnë me bisedimet zyrtare me Serbinë që janë caktuar për muajt e ardhshëm. Në Spanjë dhe në Greqi papunësia mes të rinjve nën moshën 25-vjeçare është mbi 50 për qind. Në Portugali, çdo ditë shikon radhë të gjata jashtë konsullatave të Angolës dhe Brazilit, pasi të rinjtë përpiqen të gjejnë një jetë më të mirë në ish-kolonitë portugeze. “Kjo është një prirje regresive”, thotë John Springford i Qendrës për Reformën Europiane. “Kur njerëzit mbeten pa punë për një kohë të gjatë, ata humbasin aftësitë që kanë patur, ata humbasin iniciativën dhe gjithashtu problemet sociale, si abuzimi me drogat dhe alkoolin e bëjnë të vështirë për ta të punësohen përsëri”. Në takimin e tyre të Brukselit javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord për një fond shpenzimesh prej 7.8 miliardë dollarësh për dy vitet e ardhshme, në përgjigje të papunësisë mes të rinjve. Herman Van Rompuy është president i Këshillit të Europës. “Ne e dimë se reformat kërkojnë kohë dhe rezultatet nuk do të jenë të menjëhershme. Prandaj ne po përqendrohemi edhe në masa që të kenë ndikim të drejtpërdrejtë, duke luftuar papunësinë ndër të rinjtë dhe duke ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha”.
MAPO
Add new comment