BE i jep sot statusin Shqipërisë

Mediat italiane: Brukseli pritet të rekomandojë një “PO” pa kushte
Fatjona Mejdini
Komisioni Europian pritet t’i rekomandojë sot Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, pa kushte shtesë. Po sot në Bruksel komisioneri për Zgjerim në KE, Stefan Fyle, do të prezantojë progres-raportin e Shqipërisë për sa u përket zhvillimeve në vend gjatë 12 muajve të fundit, ku vlerësimi për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit qëndron i palëkundur. Falë zgjedhjeve, të cilat për vëzhguesit e Komisionit Europian shënuan një progres të prekshëm dhe po kështu si rezultat i miratimit të 12 rekomandimeve që KE-ja i ka vendosur Shqipërisë përpara tre vitesh, duket se statusi i vendit kandidat tashmë është më afër se kurrë më parë. Siguri për rekomandimin e statusit të vendit kandidat, japin edhe mediat italiane, gjatë raportit të asaj që do të ndodhë sot në Bruksel. Mediat italiane theksojnë se këtë vit Shqipëria është gjithnjë e më pranë objektivit të saj për të marrë statusin kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian. Agjencia e lajmeve italiane “TGcom”, raporton se sot Komisioni Europian pritet të rekomandojë dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, pa kushte. Ndërkaq, pas këtij rekomandimi, vendimin përfundimtar për dhënien e statusit e ka Këshilli i Ministrave të BE-së, ku ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian duhet të japin konsensus unanim për sa i përket marrjes së këtij statusi nga ana e Shqipërisë.
Progresi
Duket se dy elementet kryesore që do të bëjnë të mundur dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë këtë vit, janë konsiderimi i zgjedhjeve si të lira e të ndershme dhe plotësimi pas tre vjetësh i 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Europian. Top Channel ka arritur të sigurojë pak ditë më parë një kopje të progres-raportit të Shqipërisë dhe në të duket qartë vlerësimi për këto dy elemente. “Në përgjithësi, zgjedhjet shënuan progres të prekshëm në krahasim me praktikat e mëparshme, duke plotësuar kështu prioritetin kyç për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Funksionimi i Parlamentit u përmirësua”, theksohet në progres-raport për çështjen e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, amendimet për sa i përket ligjit për statusin e nëpunësit civil duket se nuk do të krijojnë problem për rekomandimin dhe marrjen e statusit që pritet në muajt në vijim. “Në përgjithësi është shënuar progres në reformën për administratën publike dhe një hap madhor i ndërmarrë në këtë prioritet kyç ishte miratimi i ligjit për shërbimin civil. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të depolitizuar administratën publike, për të garantuar vazhdimësinë, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar meritokracinë në emërime, ngritje në detyrë apo shkarkime dhe për të rritur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë financiare të saj”, theksohet për këtë çështje në progres-raport.
Këshilli i Ministrave
Pas rekomandimit të statusit kandidat për Shqipërinë, pritet që vendimin përfundimtar për këtë çështje ta japë Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian, ku do të mblidhet në fillimin e muajit dhjetor. Ndërkaq, marrja e vendimit kërkon një qëndrim unanim të 28 ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së. Diplomacia shqiptare pritet të luajë një rol të rëndësishëm në këtë moment për sa i përket heqjes të një farë skepticizmi që mundet të ekzistojë te disa vende anëtare.
Hapat
Komisioni
Hapi i parë i procedurës për çështjen e statusit është rekomandimi i Komisionit Europian, i cili drejtohet nga Hoze Manuel Barrozo
Këshilli
Pas rekomandimit të Komisionit ai duhet të miratohet nga Këshilli i krerëve të shteteve apo i ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së
Negociatat
Nëse edhe Këshilli e miraton me unanimitet dhënien e statusit atëherë Komisioni Europian nis procedurat për hapjen e negociatave për anëtarësim
Ambasadori Sekui prezanton raportin pas Komisionit
Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Etore Sekui (Ettore Sequi) pritet të prezantojë pasditen e sotme në Tiranë, progres-raportin e radhës së Shqipërisë, shoqëruar me një konferencë për shtyp në lidhje me gjetjet e raportit. Sekui do të theksoj nevojën e vijimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Nga ana tjetër, progres-raporti pritet të përshëndetet sot edhe nga drejtuesit kryesorë të politikës në vend, të cilët do të marrin angazhimet dhe për fazën e radhës që pret Shqipërinë në raport me BE-në.
SHQIP
Add new comment