BB: Krizat në Itali dhe Greqi, kërcënim për Shqipërinë

Postuar në 20 Prill, 2013 14:55

 

Kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill nga Washingtoni, tha se ekonomitë fqinje me Greqinë dhe Italinë janë fatkeqe. Ekonomia e Shqipërisë dhe rritja e saj është ndikuar shumë negativisht nga tregtia dhe marrëdhëniet tregtare me këto vende Greqia dhe Italia janë epiqendra e krizës në Europë, çka ka sjellë një tronditje më të madhe në ekonomitë e shteteve afër tyre. Kanë kaluar pesë vjet dhe presionet po shtohen, ekonomia shqiptare e ka humbur rezistencën”, ka pohuar kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill nga Washingtoni, i cili para pak javësh pat vizituar Shqipërinë. “Në të shkuarën thuhej se sa më larg Brukselit të ndodheshe, aq më keq ishte. Tani kjo ka ndryshuar. Sa më afër Athinës të jesh, aq më keq është”, – tha ai. Vetëm për shkak të marrëdhënieve tregtare që Shqipëria, Serbia dhe Bullgaria kanë me Greqinë dhe Italinë dhe ndikimit të sistemit bankar në këto vende, perspektiva e rritjes është shumë e ulët. Në 5 vitet e krizës, Shqipëria ka mundur të shmangë recesionin. Rënia e kërkesës së brendshme dhe tkurrja e investimeve private është kompensuar falë ecurisë së mirë në sektorin e jashtëm, kryesisht eksporteve dhe investimeve të huaja. Sipas Komisionit Europian, në 2012-ën, Shqipëria së bashku me Turqinë dhe Kosovën ishin tri vendet e vetme në rajon që mbajtën rritje ekonomike pozitive, teksa të gjitha vendet e tjera u rikthyen në recesion. Por nëse kriza në Itali dhe Greqi vijon në të njëjtat ritme, zhvillimi i Ballkanit rrezikohet seriozisht. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri para pak kohësh, Gill tha se dalja nga kriza për Shqipërinë duhet të fillojë nga rritja e ekonomisë, e cila sipas tij, do të ndodhë duke lehtësuar taksat dhe klimën ndaj biznesit. Gill tha se lehtësimi i ambientit të investimeve, përmirësimi i klimës së biznesit dhe ulja e barrës fiskale për biznesin investues dhe prodhues shihen si masa emergjente. Sipas Gill, në këtë mënyrë do të rritej ekonomia, do të rriteshin të  ardhurat në buxhet e për rrjedhojë do të ulej edhe niveli i borxhit. Një këndvështrim tjetër për daljen nga kriza ka dhënë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadem Ilahi është shprehur se ulja e borxhit duhet të vijë nëpërmjet rritjes së taksave, ndërsa kryeekonomisti i BB-së thotë se ulja e borxhit duhet të vijë nëpërmjet lehtësimit të taksave dhe klimës së biznesit në segmentin prodhues. Por çfarë modeli po aplikon qeveria shqiptare? Modeli i Bankës Botërore duket më i përshtatshëm. Qeveria dy muajit e fundit ka çliruar nga pagesa e TVSH-së të gjitha makineritë që futen në vendin tonë për investime, ka lehtësuar pagesat për të punësuarit rishtas, ka ulur taksat vjetore për automjetet, taksat për tokat bujqësore etj. Rritja e prodhimit dhe eksporteve shihet si themeli mbi të cilin do të bazohet rritja ekonomike në të ardhmen. Që nga viti 2000 eksportet janë tetëfishuar duke sjellë rreth 2 miliardë euro në buxhet. Rritja e mëtejshme e tyre forcon vlerën e lekut. Me një lek më të fortë bëhet më e lehtë shlyerja e borxhit. Gill tha sa Shqipëria do të vazhdojë të jetë e ekspozuar ndaj zhvillimeve në eurozonë dhe veçanërisht në Itali e Greqi, vende me të cilat lidhjet ekonomike janë më të forta.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.