Bashkimi Rama-Meta LSI, 8 mandate brenda koalicionit

Bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim në një koalicion zgjedhor favorizon opozitën që të marrë numrin e nevojshëm të votave për të fituar të drejtën e qeverisjes së vendit në zgjedhjet e ardhshme. Kjo në raport me koalicionin tjetër që gjendet përballë, pasi sa i përket raporteve brenda koalicionit, ajo që fiton në mënyrë të padiskutueshme është Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia e Metës në zgjedhjet e ardhshme do të ketë mundësi që të dyfishojë përfaqësimin e saj në Kuvend dhe për rrjedhojë, të rrisë peshën e saj përcaktuese për qeverisjen e ardhshme. Dhe kjo jo duke futur emra kandidatësh për deputetë në listat e PS-së, por duke i fituar ato në mënyrë të drejtpërdrejtë, falë të qenit pjesë e koalicionit opozitar.
Përllogaritja
Parashikimi i mëposhtëm bazohet në votën që subjektet politike që garojnë tashmë brenda koalicionit opozitar kanë mundur të marrin në zgjedhjet e vitit 2009. Nëse marrim si referencë rezultatet e 2009-ës dhe bashkojmë votat që siguroi atëherë koalicioni i majtë dhe votat e LSI-së që atëherë garoi si subjekt më vete, e të ndajmë më pas mandatet që dalin nga ky bashkim mekanik votash, rezulton se LSI maksimizon votat e saj duke shkuar nga 4 mandate në 6 mandate të sigurta dhe në 2 mandate të tjera që mund t’i marrë për fare pak vota. E thënë ndryshe, LSI në zgjedhjet e ardhshme, gjithmonë nëse minimumi do të ruante nivelin e votave të 2009-ës, atëherë do të ketë mundësi që të marrë nga 6 deputetë minimumi në 8 deputetë maksimumi. Por ajo që vlen për t’u theksuar në këtë rast është se nga bashkimi me LSI-në, PS mund të marrë të drejtën për të qeverisur vendin, por cenon mandatet e saj që ka aktualisht, në të paktën 2 raste dhe në të shumtën në 3 raste. Pasi LSI arrin të marrë mandat të sigurt në Elbasan, të cilin nuk e ka aktualisht, dhe kjo falë të qenit pjesë e koalicionit opozitar dhe këtë mandat ia merr direkt PS-së. Gjithashtu, LSI arrin të marrë mandatin e dytë të sigurt në Tiranë dhe këtë sërish ia merr PS-së. Ndërkohë që situata është disfavorizuese për PS-në edhe në Fier, pasi është ajo që duhet të luftojë për të mbajtur mandatin e dhjetë që ka aktualisht si opozitë, sepse LSI siguron një mandat të sigurt në këtë qark. Më konkretisht, situata pas këtij bashkimi paraqitet si më poshtë:
Berati
Në qarkun e Beratit, LSI arrin të heqë çdo hije dyshimi që kishte për të marrë një mandat në rast se do të dilte e vetme apo në një koalicion të vetin. LSI në këtë qark arrin të marrë jo më tashmë mandatin e fundit apo të parafundit, por mandatin e tretë në koalicionin opozitar. Kjo falë formulës së ndarjes së mandateve brenda koalicionit, ku LSI me 8 844 vota që ka marrë në 2009-ën, merr jo pak por mandatin e tretë. Dhe për këtë qëllim mund të themi se ajo nuk ka ndonjë interes të madh që të punojë fort në këtë qark, pasi mandatin e ka të sigurt edhe sikur të ketë një rënie me rreth 1 mijë vota krahasuar me 2009-ën. Ndaj, ajo që i bie barra për të luftuar fort për të marrë mandat shtesë është PS.
Durrësi
Edhe në Durrës situata është krejt e qartë për LSI-në, e cila me 9 655 votat e 2009-ës ka të sigurt mandatin e 4-t brenda koalicionit. Sërish dhe në këtë qark ajo që duhet të punojë fort për një mandat shtesë është Partia Socialiste, pasi LSI nuk ka interes për vetë faktin se mandatin e ka të sigurt, por edhe sepse nuk mund të marrë një mandat shtesë.
Elbasani
Qarku ku bashkimi PS-LSI përkthehet në disfavor të socialistëve dhe në favor të LSI-së, është Elbasani. Në bazë të votave të 2009-ës, LSI arrin të marrë 1 mandat në Elbasan. Me 7 016 vota që ka marrë në zgjedhjet pararendëse, LSI merr mandatin e 6-të dhe këtë ia merr pikërisht PS-së, e cila nga 6 mandate që ka aktualisht del me 5 mandate. E vetmja mënyrë që PS të marrë sërish 6 mandate të sajat në këtë qark është që i gjithë koalicioni opozitar të arrijë të fitojë një mandat më shumë se në 2009-ën, pra 7 mandate, çka nuk është shumë e vështirë për të ndodhur.
Fieri
Fieri është një tjetër zonë zgjedhore ku LSI favorizohet së tepërmi nga bashkimi në një koalicion me PS-në. Ajo arrin të marrë mandatin e 5-të të opozitës në këtë qark. Ndërkohë që PS nga ana tjetër do duhet të luftojë fort për të siguruar të njëjtin numër mandatesh sa mori edhe në 2009-ën, pra 9 mandate, pasi kalimi i LZHK-së dhe PDK-së në koalicionin e djathtë ka vënë në pikëpyetje të madhe mandatin e fundit të saj.
Tirana
Tirana gjithashtu është një qark ku PS penalizohet nga bashkimi me LSI-në, ose thënë ndryshe, ky bashkim favorizon në mënyrë të ndjeshme LSI-në, e cila ndryshe nga 2009-ta jo vetëm që e ka të sigurt një mandat, por pritet të marrë dhe të dytin. Nga përllogaritjet rezulton se LSI, me 17 552 vota që ka marrë në 2009-ën, arrin të marrë brenda koalicionit mandatin e renditur të 6-in dhe të 16-in. Pra, LSI merr 1 mandat më shumë dhe këtë ia merr direkt PS-së, e cila nga 15 mandate në 2009-ën shkon në 14. PS-së i duhet që edhe në këtë qark të angazhohet me të gjitha kapacitetet për t’i siguruar koalicionit mandatin e 17-të dhe për t’i dhënë vetes mandatin e 15-të.
Korça dhe Vlora
Korça dhe Vlora janë dy qarqe të tjera ku LSI mund të përfitojë nga bashkimi me PS-në. Ajo mund të marrë edhe nga një mandat në këto dy qarqe, por për këtë duhet të përmirësojë rezultatin e 2009-ës. Nuk bëhet fjalë për shifra të konsiderueshme, pasi që të marrë mandat në Korçë asaj i duhen afërsisht 700 vota, ndërkohë që të marrë mandat në Vlorë, asaj i duhen vetëm rreth 500 vota. Në këtë qark, një mandat të sigurt e merr edhe PBDNJ. Pra siç shihet, këto dy qarqe përbëjnë dhe dy zonat zgjedhore ku LSI-së i duhet të përqendrojë të gjitha kapacitetet dhe fushatën e saj zgjedhore, pasi në qarqet e tjera ajo përfiton mandatet e saj falë të qenit pjesë e koalicionit.
Radha e ndarjes së mandateve brenda koalicionit opozitar
Berat
1 – PS
2 – PS
3 – LSI
4 – PS
5 – PS
Durrës
1 – PS
2 – PS
3 – PS
4 – LSI
5 – PS
6 – PS
Elbasan
1 – PS
2 – PS
3 – PS
4 – PS
5 – PS
6 – LSI
7 – PS
Fier
1 – PS
2 – PS
3 – PS
4 – PS
5 – LSI
6 – PS
7 – PS
8 – PS
9 – PS
10 – PS
Korçë
1 – PS
2 – PS
3 – PS
4 – PS
5 – PS
6 – PS (5 299 )
7 – LSI (4 572 )
LSI do të merrte mandatin e 6-të të koalicionit për 700 vota. Ajo do të merrte mandatin e 7-të nëse koalicioni do të rritej në 7 mandate.
Vlorë
1 – PS
2 – PS
3 – PS
4 – PS
5 – PS
6 – PBDNJ
7 – PS (4 293)
8 – LSI ( 3 810)
LSI do të merrte mandatin e 7-të të koalicionit për vetëm 500 vota. Ajo me votat që ka, do të merrte direkt mandatin e tetë nëse koalicioni rritej në 8 mandate.
Qarku Tiranë
1 – PS
2 – PS
3 – PS
4 – PS
5 – PS
6 – LSI
7 – PS
8 – PS
9 – PS
10 – PS
11 – PS
12 – PS
13 – PS
14 – PS
15 – PS (6 028)
16 – LSI (5 850)
Kodi Zgjedhor
Neni 163
Formula e ndarjes së mandateve brenda koalicionit
1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.
2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek, të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
3. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.
4. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.
MAPO
Add new comment