Bashkimi i këshilltarëve të majtë, Basha: Vendim politik, Rama: Basha i frikësohet shumicës

Në hotel “Sheraton” janë mbledhur këshilltarët e Partisë Socialiste, bashkë me atë të LSI-së, pas bashkimit të ditës së djeshme. Deputeti i PS, Sajmir Tahiri, tha se bashkimi i këshilltarëve të majtë i jep fund dhunës së ushtruar vazhdimisht nga kryeministri Berisha ndaj gjithë institucioneve të pavarura. "Pas 23 qershorit me votën e qytetarëve, kjo dhunë do të marrë fund",- theksoi Tahiri.
“Ju e patë në Kuvend dhunën e Berishës për të delegjitimuar institucionet e pavarura. Është e njëjta dhunë që demonstrohet edhe në rrugë. Vjedhje jo vetëm e mandatit të anëtarit të KQZ, por ndaj pavarësisë funksionale të institucionit suprem që ushtron zgjedhjet. Të gjithë ata që e kanë çuar nëpërmend se mund të manipulojnë zgjedhjet, se me votën e qytetarëve mund të bëjnë çfarë të duan, ne sot u deklarojmë se afirmojmë vullnetin tonë për ta kthyer sistemin vendor të denjë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, votën e qytetarëve”, - tha Tahiri.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Shezai Rrokaj ka theksuar se ky vendim vjen pas cenimit të KQZ-së që është institucioni i cili garanton votën dhe sipas tij shumica që krijohet tashmë në këshillin bashkiak synon pikërisht mbrojtjen dhe garancinë e votës së qytetarëve.
Bashkohen këshilltarët e majtë të Bashkisë Tiranë
Pas vendimit të djeshëm për bashkimin e këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, edhe në Durrës 4 këshilltarët e LSI-së kaluan krah PS-së në Këshillin Bashkiak.
Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmoi prishjen e marrëveshjes në nivelin vendor me PD-në edhe në komuna dhe këshillat e qarkut.
Këshilltarët e LSI-së dhe PS-së në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se kanë numrin e mjaftueshëm të këshilltarëve, ata kanë dorëzuar në Këshillin Bashkiak një shkresë, nëpërmjet së cilës kërkojnë mbledhje jashtë radhe. Ata kërkojnë shkarkimin e kryetarit dhe të nënkryetarit të këshillit, poste që aktualisht mbahen nga këshilltarë të djathtë.
Kryetari i ri i Këshillit Bashkiak të Tiranës do të jetë nga radhët e Partisë Socialiste dhe pritet të zëvendësojë Njazi Kosovrastin, ndërsa nënkryetari do të jetë i LSI-së dhe pritet të zëvendësojë Zamir Ndroqin, i cili mban aktualisht këtë post.
Rama: Basha i frikësohet shumicës së majtë
Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama reagoi ndaj deklaratave të Lulzim Bashës, i cili vendimin e djeshëm të bashkimit të këshilltarëve të majtë e cilësoi, politik. Në dy statuse të postuara në Twtter Rama, shkruan se kryetari aktual, Basha i trembet shumicës së majtë, pasi kjo do të mbrojë Bashkinë nga abuzimet dhe vjedhjet.
“Tanimë shumica do të mbrojë qytetaret e Tiranës e jo vetëm nga planet klienteliste, inaugurimet sa për TV, abuzimet e vjedhjet në Bashki e qarqe”,-shkruan Rama.
“E paska harruar zërin e qytetarëve që flasin përmes Keshillit Bashkiak. Po s’ka faj, s’ka bërë asgjë dhe i trembet zërit te shumicës në këshill”,- shkruan Rama.
Basha: Vendimi është politik
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e cilësoi si politik vendimin e këshilltarëve të LSI-së për të bashkuar votat me ata të Partisë Socialiste.
Në një prononcim për mediat pas inspektimeve të punimeve të shkollës “Ahmet Gashi” në Laprakë, kryebashkiaku akuzoi ish-kreun e bashkisë Edi Rama se po përdor strategjinë e konfliktit politik
“Qëndrimet e djeshme nuk kanë të bëjnë me Bashkinë e Tiranës, janë vendimi politike dhe nga kjo pikëpamje më vjen keq të konstatoj që e vetmja strategji e ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës është e konflikti politik, dhe instrumentalizimi i Bashkisë së Tiranës si pjesë e konfliktit politik. Tirana është shndërruar në një kantier ndërtimi dhe shumica e veprave janë në ndërtim. Strategjia e konfliktit politik e ish-kryetarit s`ka të bëjë me Bashkinë e Tiranës, por edhe me 23 qershorin dhe në 23 qershor qytetarët e Tiranës do të vendosin për rikthimin e konfliktit politik apo të ecin përpara”,- tha Basha.
SHEKULLI
Add new comment