Bashkia bllokon tregun tek Uzina Dinamo, përplaset me tregtarët

Një përplasje ka ndodhur mes policisë bashkiake dhe tregtarëve të Uzinës Dinamo mbrëmjen e sotme. Mësohet se bashkiakët kërkojnë që ta zhvendosin tregun, por tregtarët e kundërshtojnë këtë vendim.
Aksioni u ndërmor për zbatimin e vendimit të inspektoratit të mjedisit për mungesë të higjienës. Për pasojë ka patur edhe përplasje fizike mes policisë bashkiake dhe tregëtarëve, të cilët nuk duan të largohen nga vendi ku ndodhet tregu.Policia bashkiake e ka bllokuar tregun dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet, ashtu sikurse edhe tregtarët.
Përfaqësuesi i tregtarëve, Emin Balliu, thotë për Tv “A1 Report” se janë 500 biznese me licenca të cilët paguajnë taksat dhe detyrimet. “Vendimi i Bashkisë është i papritur, na rrethuan me polici”, u shpreh Balliu.
“Është vendim jashtë çdo logjike. Këtu janë 300 subjekte që punojmë me licencë. Këta kanë ardhur dhe e kanë bllokuar pasi pretendojnë se po ekzekutojnë një vendim të institutit të higjienës. Policia Bashkiake vjen pa asnjë urdhër. Policia Bashkiake nuk mund të dalë pas asnjë urdhër dhe të ndalojë aktivitetin.
Kush do të paguajë për mallin. Nuk ka lidhje fare me subjektet. Këtu janë 300 tregtare, që janë secili pronar në pronën e vet. Të gjithë janë qiramarrës”, u shpreh avokati Rexhepaj.
SHEKULLI
Add new comment