Basha: Strehim për 14 familjet e dëbuara, verifikim për pretendimet mbi pronën

Postuar në 27 Prill, 2013 14:30

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ofroi strehim për 14 familjet që u nxorën nga shtëpitë prej vendimit të gjykatës. Në grevë me banorët edhe një grua që pretendon pronësinë

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u ka ofruar dje ndihmën e Bashkisë për strehim banorëve të futur në grevë urie në rrugën “Margarita Tutulani”, të cilët u nxorën nga godina me një vendim të Përmbarimit. Kreu i Bashkisë është takuar me banorët dhe u ka bërë të ditur se Bashkia do u mundësojë sistemimin e menjëhershëm në banesa me qira, derisa të ketë mundësi t’i sistemojë, me 3 programet për strehim: banesat sociale, kreditë e buta ose bonusi i qerasë që ofron Bashkia e Tiranës. “Ne do të mundësojmë një periudhë tranzicioni në banesa me qira, të marra përsipër nga Bashkia e Tiranës me ndihmë donatorësh, sepse vetë nuk kemi mundësi ligjore të drejtpërdrejta. Do ta përdorim këtë periudhë tranzitore 3-4 mujore, për të parë cili nga tri programet që ne ligjërisht disponojmë dhe që të mundësojë një zgjidhje edhe afatgjatë, qoftë banesa sociale, qoftë kredi kur mund ta përballojë apo bonus qiraje, në rast se dy të parat nuk mund të funksionojnë. Nëse vendimi i Përmbarimit nuk përmbush kushtet ligjore, çka u pretendua nga banorët, por që unë nuk kam mundësi ta them tani, do ta verifikoj 24 orët e ardhshme, atëherë nuk ngelet gjë tjetër, veçse të rikthehen në gjendjen e mëparshme. Në të kundërt, shpresoj dhe besoj se oferta ime si qytetar me ndjeshmëri po dhe si kryetar i Bashkisë, me një mundësi për të ndihmuar qoftë edhe jo brenda tagrit ligjor, të pranohet”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. 14 familjet që u nxorën jashtë banesave nga Përmbarimi në rrugën “Margarita Tutulani” në kryeqytet, ndërkohë vijojnë ende grevën e urisë. Aktualisht mësohet se grevën po e vazhdojnë 10 banorë, pasi 4 të moshuar janë detyruar ta ndërpresin atë për shkak të problemeve shëndetësore. Grevistja e 10-të është një tjetër banore e ndërtesës Trubullira Shalsi, e cila iu bashkua grevistëve të tjerë rreth mesditës së djeshme. Ajo pretendon se është pronarja e kësaj ndërtese, për të cilën disponon dokumente një tjetër person. “Dua të njihem si pronare, banorët le të jetojnë aty”, thotë ajo. Sipas saj, ndërtesa është në pronësinë e të atit, Jakup Shalsi. “Babi im u pushkatua në kohën e komunizmit”, shprehet ajo. Avokati i Popullit, Igli Totozani, pas takimit të zhvilluar me grevistët, në një prononcim për mediat theksoi se u njoh me problemin e banorëve. Totozani vlerësoi qëndrimin e kryebashkiakut Lulzim Basha.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.