Basha shkoi për t'i qetësuar, sherr mes militantëve të PD në Durrës.

Lulzim Basha shkoi dje në Durrës për të qetësuar bazën e partisë, pas konfliktit që kishte lindur. Pas publikimit të udhëzimit të parë të Bashës lidhur me procesin reformues të PD-së, situata në bazën e partisë në Durrës ka degraduar në konflikte të hapura ndërmjet militantëve përsa i përket emrave që do të marrin kryesinë e kësaj dege.
Takimi
Ditën e djeshme, kreu i Partisë Demokratike shkoi në Durrës ku zhvilloi një takim me bazën, në kuadër të procesit reformues. Pavarësisht se takimi u mbajt jo publik, burime nga PD-ja në Durrës theksuan për gazetën “Shqiptarja.com” se vizita e tij u bë për shkak të konfliktit që kishte lindur. Basha, në fjalën e tij para anëtarëve, theksoi se nuk ka asnjë të privilegjuar nga kryetari, duke lënë të kuptohet se përçarja ekziston, por pa përmendur arsyen. “Në mbarë Shqipërinë, demokratët po diskutojnë me frymë kritike dhe autokritike, me frymë realiste dhe konstruktive, për të korrigjuar të metat e gabimet dhe për të shikuar përpara.
Vota është i vetmi pushtet që do të funksionojë në PD për të zgjedhur drejtuesit e rinj të kësaj partie. Nuk ka dhe nuk mund të ketë të preferuar të kryetarit apo të dikujt tjetër në këtë proces. Pushteti është i votës së anëtarëve të PD-së, ndaj edhe synimi ynë është të zgjedhim me votë më të mirët, më të aftët, më të përkushtuarit, më të ndershmit. PD nuk është parti e dikujt, nuk është parti e disave, është partia e të gjithë demokratëve. Çdo demokrat është pjesë e kësaj partie, ka aksionet e veta në këtë parti, çdo demokrat ka një votë në këtë proces, pavarësisht se çfarë pozicioni ka apo do të ketë në strukturat e PD-së” – theksoi kreu i PD-së në takimin me anëtarët e seksionit.
Përçarja
Burime nga dega e Partisë Demokratike në Durrës, bënë të ditur dje, se partia është ndarë në 2 grupime. Konkretisht njëri grupim mbështet Genc Jukën, i cili vjen nga grupimi i të vjetërve të partisë. Ndërsa grupimi tjetër mbështet Ardian Mukën, i cili përfaqëson prurjet e reja. Ndërmjet këtyre dy grupimeve ka pasur një acarim të skajshëm të situatës i cili ka arritur deri në atë pikë sa njëra palë të akuzonte tjetrën si edhe ta kërcënonte me jetë. Kësisoj, tensionimi tepër i lartë i situatës së partisë në Durrës, ka bërë që vetë kryetari të shkonte për të qetësuar gjakrat ndërmjet militantëve të partisë. Ky acarim ka ardhur për shkak se ndërmjet dy kandidatëve ka nisur fushata për të thithur sa më shumë vota, por duke qenë se procesi u tejzgjat, ata kaluan në acarim ndërmjet tyre pasi nuk po zhvillohej asnjë garë.
Por me fillimin e fushatës, mbështetësit e secilit prej dy kandidatëve kryesorë, kanë kaluar në ofendime dhe kërcënime për secilin kah. Genc Juka, i cili përfaqëson grupimin e të vjetërve gëzon një simpati nga ata persona që cilësohen edhe si senatorët e partisë si edhe anëtarët më të vjetër. Por duke qenë se PD po vijon në një proces reformues ku emrat e vjetër po largohen një nga një, figura e Ardian Mukës duket se i ka acaruar shumë militantët e vjetër të PD-së, të cilët e shohin atë si kërcënimin kryesor për t’i larguar benefitet e partisë. Kësisoj, ditën e djeshme u desh ndërhyrja e Bashës për ta qetësuar situatën, pasi militantët e PD-së ishin drejt një grindje të sigurt.
Add new comment