Basha: Rama t’i përmbahet konsensusit, të zbatojë ligjin për nëpunësin civil

Postuar në 29 Shtator, 2013 08:24

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, deklaroi se ligji mbi nëpunësit civilë do të hyjë në fuqi më 1 tetor dhe nuk është kryeministri i vendit ai që përcakton zbatueshmërinë ose jo të tij.

Duke folur për mediat gjatë inspektimit të punimeve në njësinë numër 7, Basha iu përgjigj Edi Ramës, i cili, i pyetur lidhur me çështjen e statusit të nëpunësit civil dhe akuzave për spastrim të administratës me shtyrjen e hyrjes në fuqi të tij, tha se ligji i miratuar me tre të pestat është i pazbatueshëm pasi nuk është shoqëruar me aktet e domosdoshme nënligjore.

“Ligji i miratuar më 30 maj thotë që aktet nënligjore do të bëhen 3 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit më 1 tetor. Pra, ka tre muaj kohë për këto akte. Nuk mund të thotë kryeministri nëse është i zbatueshëm apo jo një ligj, por gjykatat. Çdo përpjekje për të shkatërruar konsensusin për këtë çështje pengon integrimin europian të vendit”, theksoi Basha, i cili i rikujtoi kryeministrit Edi Rama edhe premtimin për legalizimin falas të banesave.

“Po përfundojmë urbanizimin e një blloku të ri në qytetin tonë: shtrim rrjeti ujësjellësi, kanalizimi, asfaltimi, ndriçimi dhe ndërtimi trotuaresh. Kjo do të bëjë të mundur një cilësi më të mirë të jetës së banorëve përreth. Uroj që me mbajtjen e premtimit nga ana e Bashkisë, të përfundojë pa para’ edhe legalizimi i banesave të kësaj zone, ashtu siç është premtuar nga qeveria e re”.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.