Basha: Rama, qeveri kamikazësh

Postuar në 01 Gusht, 2013 07:50

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përdori një gjuhë të ashpër dhe akuzuese kur etiketoi qeverinë e re të shpallur nga Edi Rama, si klientelën e vjetër dhe të re të kryeministrit të ardhshem, që sipas tij reflekton paaftësi dhe nepotizëm.

“Aktorë të së kaluarës së largët, ministra të Ramiz Alisë, protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti gjatë qeverisjes së korruptuar të para 2005-ës, sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të vendimmarrjeve europiane, protagonistë të lidhjeve me trafiqet dhe lidhje nepotike dhe menaxhues të njohur të interesave të ish-kryetarit në Bashkinë e kryeqytetit, deri para dy vitesh. Pra, një ekip që mbledh paaftesinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual dhe reflekset korruptive dhe autoritare”, deklaroi Basha.

Duke bërë këtë vlerësim negativ për qeverinë e ardhshme, kreu i Partisë Demokratike në opozitë beson se Edi Rama ka bërë këtë përzgjedhje për kabinetin qeveritar i nisur vetëm nga interesat e tij personale të pushtetit.

“Pas tërheqjes nga çdo premtim që u ka bërë qytetarëve më 23 qershor, njoftimi i djeshëm nuk habit askënd, por vërteton se qeveria e zotit Rama nuk mund të ishte veçse një bashkësi që do i shërbejë kryetarit për të përmbushur ëndrrën e tij për t’u ndjerë kryeministër dhe jo për t’iu shërbyer qytetarëve! Çdo shqiptar duhet ta dijë sot se shumë shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës dhe përçmues ndaj vullnetit dhe interesave të tyre do të rëndojnë mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e tyre dhe të familjeve të tyre”, theksoi Basha.

Zoti Basha tha se Partia Demokratike është e vendosur që të mbrojë interesat e qytetarëve duke u përballur fuqishëm me qeverinë Rama dhe atë që e quan “skemë të kapjes së pushtetit për grabitjen e shtetit”.

Këto konsiderata, zoti Basha i ndau edhe me ambasadorin e OSBE-së, Robert Wilton, të cilit i shprehu qëndrimin e opozitës se: “vjedhja e flagrante e votave në qarkun e Lezhës, tentativa për marrjen e mandatit të Partisë Demokratike, si dhe problemet e konstatuara në qarkun e Shkodrës janë pasojë e vullnetit të munguar nga Partia Socialiste për t'u angazhuar në një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor”.

Partia Demokratike thotë se mënyra e vetme e zgjidhjes së këtyre problemeve për të ardhmen është transparenca e plotë dhe vënia përpara përgjegjësisë e personave të përfshirë në manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.