Basha: Rama në borxh me shqiptarët për statusin, bëri skeptikë vendet e BE

Refuzimi i statusit ishte një lajm shumë i keq për Shqiptarët, populli më europian-dashës në Europë. Kështu është shprehur kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një reagim pas vendimit të BE për ta shtyrë për në qershor dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Në një deklaratë për mediat Basha akuzoi qeverinë Rama-Meta si përgjegjëse të drejtpërdrejtë të këtij vendimi, pasi sipas tij me shkeljet e shumta ligjore në kaq pak kohë në pushtet dhe me arbitraritetin e saj bëri skeptikë fuqitë e mëdha europiane ndaj Shqipërisë.
“Shqipëria ishte gati që vitin e kaluar, por siç dihet, statusi u shty për shkak të bllokimit të 3 ligjeve të famshme nga PS në opozitë. Në maj të këtij viti 3 ligjet u votuan dhe rruga u hap. Në qershor PD zhvilloi zgjedhjet më të mira dhe kreu kalimin demokratik të pushtetit në duart e ish-opozitës së majtë duke përmbushur një kriter të hershëm të funksionimit të demokracisë dhe duke fuqizuar marrjen e statusit. Nuk kishte më asnjë pengesë, asnjë arsye për të mos na e dhënë. Si qershia mbi tortë erdhi edhe progres-raporti në tetor të këtij viti. Komisioni njohu faktin se përkundrejt krizës, Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike. Koalicioni Rama-Meta nuk i mbeti gjë veçse të shkonin të merrnin statusin. Ky ishte realiteti kur ata erdhën në qeverisje, aq më tepër që PD kur doli në opozitë, përcaktoi politikën ‘Po’ pa kushte ndaj integrimit në përgjithësi. Ne u përfshimë në një përpjekje të vazhdueshme për marrjen e statusit me partnerët tanë. Bëmë gjithçka kur ishim në qeveri dhe gjithçka mundëm kur dolëm në opozitë. Por suksesi në synime të tilla kërkon doemos qeverinë, ku duket qartë ku është problemi. Asgjë e re nuk ka ndodhur në këtë kohë në Shqipëri, veçse qeveria. Shtyrja e statusit është përgjegjësi e saj, vepër e saj. Kjo qeveri dhe Rama personalisht, përmes arbitraritetit dhe paligjshmërisë, goditjeve të institucioneve të pavarura, shkatërrimit të policisë së shtetit, spastrimet në administratë zhbëri dhe kanë ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer në skeptikë fuqitë e mëdha europiane që deri dje ishin të hapur dhe pozitivë në dhënien e statusit”, tha Basha.
Shqip
Add new comment