Basha në PPE : Shqiptarët e meritojnë statusin, mazhoranca po zhbën standardet.

Postuar në 21 Mars, 2014 09:05

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shfrytëzuar samitin e PPE, për të lobuar për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, në muajin qershor. Ndonëse situata e krijuar nga mazhoranca e re nuk është aspak në përputhje me standardet europiane, zoti Basha ka insistuar pranë vendimmarrësve europianë, se etapa e statusit duhet përmbyllur sa më parë.

“Nuk kam reshtur përpjekjet e mia në këtë samit, sikundër para dy javësh në Dublin gjatë kongresit me kryetarët e partive dhe qeverive simotra, për të kërkuar mbështetjen e tyre për çështjen e statusit, duke argumentuar se puna e kryer ndër vite nga qeverisja e Partisë Demokratike meritoi një rekomandim pozitiv të Komisionit dhe se pavarësisht prej situatës së nderë që mazhoranca e re ka krijuar në raport me kriteret e Kopenhagenit, etapa e statusit duhet përmbyllur dhe duke insistuar që etapa tjetër e rëndësishme, ajo e negociatave, duhet të hapet sa më parë“- deklaroi kryetari i PD, pas samitit të Partisë Popullore Europiane.

Zoti Basha ka theksuar se mazhoranca ka krijuar dhe po krijon probleme të jashtëzakonshme me konfliktualitetin e saj dhe me sulmin ndaj institucioneve kushtetuese, çka ka rritur dyshimin e ndërkombëtarëve tek qeveria. Pavarësisht kësaj problematike që po bëhet gjithnjë e më shumë shqetësuese për partnerët europianë, zoti Basha u shpreh me vendosmëri se dhënia e statusit do t’u japë më shumë mundësi, më shumë fokus, më shumë energji çështjeve themelore të demokracisë, të shtetit ligjor, të kushtetutshmërisë që po kthehen nga kjo mazhorancë, si pjesë e problemit dhe dosjes problematike të vendit.

“Nuk ka dyshim që nëse situata do të kishte qenë e favorshme, Shqipëria do ta kishte marrë tashmë statusin. Situata nuk ka qenë e favorshme 3 muajt e parë të qeverisjes, kjo qeveri vazhdon të krijojë dyshime. Jemi në situatë paradoksale, që qeveria me dy fjalë nuk çan kokën për statusin, i është përveshur me një revansh antikushtetues, antiligjor dhe anti-institucional standardeve europiane të krijuara e aq më pak të bëjë punën e vet, por po zhbën edhe punën e bërë tashmë në arritjen e këtyre standardeve. Nga ana tjetër, kemi një opozitë e cila edhe në mbrojtje të trashëgimisë tonë pozitive, për sa i përket integrimit europian të vendit thotë: ”Po! Le të ecim përpara, Shqipëria e meriton statusin, shqiptarët e meritojnë statusin!”. Është e vërtetë që kjo mazhorancë ka krijuar dhe po krijon probleme të jashtëzakonshme me konfliktualitetin e saj, por  pa injoruar problematikën e krijuar nga kjo mazhorancë, dhënia e statusit, do u japë më shumë mundësi, më shumë fokus, më shumë energji çështjeve themelore të demokracisë, të shtetit ligjor, të kushtetutshmërisë që po kthehen nga kjo mazhorancë, si pjesë e problemit dhe dosjes problematike të vendit“- deklaroi zoti Basha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.