Basha: Mazhoranca e re, klik marksiste. Erdhi në pushtet përmes mashtrimit

Kandidati për kreun e PD-së Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie në Bilisht, Tepelenë dhe Ersekë. Gjatë takimeve Basha ka theksuar se mazhoranca e re, ende pa ardhur në pushtet ka filluar të tërhiqet nga premtimet e saj, duke u faktuar shqiptarëve, se projekti i saj ishte thjesht dhe vetëm mashtrim.
“Asnjë forcë demokratike, vetëm klikat marksiste vijnë në pushtet me mashtrime dhe premtimet e tyre, çdo ditë po faktohen që janë mashtrime nga të cilat po fillojnë të tërhiqen akoma pa u zhdukur boja nga gishti i votuesve të mashtruar të 23 qershorit. Premtuan heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe kritikuan taksën tonë të sheshtë por pardje thanë se taksa e Sali Berishës qenka taksa më e mirë për ekonominë. Premtuan shëndetësi falas por tani na thonë që: “jo, s’kemi marrëveshje koalicioni, do jetë falas apo jo”. Premtuan 300 mijë vende pune por kanë filluar me konkurse në faqen zyrtare të Internetit të Partisë Socialiste, çka paralajmëron pushime masive të administratës dhe zëvendësimin e tyre me militantë, mendësi kryekëput e partisë -shtet” – ka thënë Basha.
Sipas tij kjo mazhorancë e premtimeve piramidale, duhet të përballet çdo ditë dhe çdo orë me mazhorancën morale të shumicës së shqiptarëve. Basha ka theksuar se PD ka qenë që në krijim të saj dhe mbetet edhe sot, e vetmja shpresë e shqiptarëve për zhvillim dhe integrim. Partia Demokratike e cila bëri realitet ëndrrat shekullore të shqiptarëve, sipas Bashës do të jetë e gatshme që nesër t’u kthejë shqiptarëve shpresën për të ardhmen.
“Përballë na kanë ne, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë Demokratike të Sali Berishës, Partinë Demokratike të Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos që shembën komunizmin, eliminuan pasojat e tij, vunë bazën e parë të ekonomisë së tregut. Jemi ne që krijuam trashëgiminë e mirëqënies përmes punësimit, punësimit përmes investimeve, investime përmes një klime biznesi të paparaleltë në stimuj dhe lehtësira. Për këtë, jemi dhe duhet të jemi në çdo moment krenarë, kokëlartë dhe dinjitozë!” “, ka thënë ai.
SHQIP
Add new comment