Basha inauguron i blinduar nisjen e punimeve për bulevardin e ri. Banorët e presin me protesta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mbajti fjalën hapëse në nisje të punimeve për bulevardin e ri.
Megjithatë ai mbërriti i blinduar nga forcat e policisë për shkak të protestës së banorëve që do të shpronësohen nga ndërtimi i këtij bulevardi.
Banorët kanë shprehur pakënaqësi për çmimet e kompensimit.
Basha po e përdor këtë investim edhe për të fituar kredite politike tani që është kryetar i ri i PD-së.
“Sot jemi dëshmitarë të transformimit më të madh të ndodhur ndonjëherë në Tiranë. Fillimi i punimeve është historik, pasi qyteti ynë rritet përditë. Sot jam i lumtur se hapim një korridor të ri për Tiranën, për punësim dhe gjelbërim. 2 vjet më parë e premtuan këtë projekt, sot po mbajmë premtimin.
Kur e shpallëm si projekt, shumëkush ishte skeptik, pasi ishin mësuar prej vitesh me fjalë shumë dhe punë pak, dhe ja ku jemi sot. Ne e kemi thënë se jemi ndryshe dhe ja ku jemi. Ne i shërbejmë qytetarit se ky është misioni ynë. Bulevardi do krijojë mijëra vende punë dhe do sjellë risi nga ana kulturore dhe do shtojë gjelbërim”, shtoi Basha, teksa falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për Emirin e Kuvajtit dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen.
Duke iu përgjigjur banorëve protestues, Basha u premtoi se do korrigjohet shifra e shpronësimit.
“Do korrigjojmë çdo shpronësim të bërë në parametrat e merituara, që çdo familjar të ndihet bashkëaksioner. Gjithashtu i siguroj ata që përdorin e keqpërdorin qytetarët për të avancuar axhendën e tyre të bllokimit, se nuk do ia dalin”, tha Basha.
Banorët në protestë janë pronarë të shtëpive në rrugën “Skënder Kosturi”, pranë Stacionit të Trenit, të cilat do të shemben pasi aty do të kalojë projekti i Bulevardit të ri. Ata protestojnë lidhur me çmimin 26 mijë lekë për metër katror, për kompensimin e pronës së tyre.
Bulevardi i ri do të kushtojë rreth 61 milion euro.
Firma që do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës është “Copri Construcsion Enterprise LLW”, e njëjta firmë që ndërtoi autostradën Tiranë-Elbasan dhe tunelin e Elbasanit./ep
Tema
Add new comment