Basha: Arsyet pse do fitojmë, Rama po bën propozime të rrezikshme

Postuar në 19 Qershor, 2013 07:01

Zoti Basha, jemi në një nga pjesët më autoktone të Tiranës. Ka një pjesë të ardhurish që kanë ardhur para 100 vjetësh, por që janë miksuar mirë…

Është në vitet e para, para shpalljes së kësaj zone kryeqytet. Mbaj mend kur isha i vogël, kur gjyshi ka ndërtuar shtëpinë, kjo ishte ndër zonat periferike të qytetit, pastaj fillonin lëndinat.

Të mungon lagjja?

Vitet e fëmijërisë më mungojnë shumë. Edhe lagjja më mungon. Vegimet e fëmijërisë janë shumë të forta. Lagjja është këtu fizikisht, por prapë nuk është ajo që ka qenë dikur. Problemi është se për këtë lagje dhe lagje si këto ka pasur një moratorium. Pra banorët e kësaj lagjeje të mos ndërtonin, pasi konsiderohej si lagje-muze. Për mendimin tim kjo është një damkë. Do e quaja fare hapur si një persekucion politik, pasi kjo lagje që në kohën kur rrëzohej regjimi i Ramiz Alisë, deri sot, vazhdon të mbetet një bastion i fortë i të djathtës…

Kjo është shtëpia e vjetër?

Këtu kam qëndruar deri në shtator të vitit ‘93, që i bie 19 vjet që kam jetuar në këtë shtëpi. Jam kthyer sa herë që vija në shtëpi kur punoja në Kosovë, pasi kjo ishte strehëza ime. Prej 2004 deri në tetor të vitit 2005 kam jetuar këtu.

Mund të bashkëpunoni me qeverinë e PS?

Bashkëpunimi kërkon dy palë. Dhe konfliktin politik në Bashkinë e Tiranës nuk e solli qeveria, sikundër konfliktin politik në Bashkinë e Tiranës nuk e ofron Bashkia. Qytetarët e kanë fare të qartë, zgjedhja është të vazhdojmë me këto projekte, me këtë bashkëpunim, apo t’i rikthehemi baltës, pluhurit dhe luftës politike, që siç e dini ju, këto nuk prekin as kryetarin e Bashkisë dhe as Kryeministrin. Viktimat e luftës politike janë qytetarët e Tiranës.

Jeni i sigurt se ju jeni kryetar bashkie me kohë të plotë?

Unë jam kryetar bashkie me kohë të plotë dhe gjatë kësaj kohe fushate unë vazhdoj të kryej detyrat e mia çdo ditë në përputhje me nevojat që ka Bashkia dhe qyteti.

Keni tetë vjet që keni premtuar legalizimet…

E vërteta është se ne në 8 vjet kemi hartuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të zbatuar atë premtim dhe zbatimi i këtij premtimi ka ecur, por jo me ritmet e duhura. Pjesërisht nuk ka ecur me ritmet e duhura pasi nuk ka pasur bashkëpunim me pushtetin vendor. Sot Bashkia e Tiranës është e angazhuar për ta përmbyllur këtë proces brenda një kohe shumë të shkurtër. Dhe unë i kam garantuar banorët të cilët kanë aplikuar për tapi, kanë bërë matjet dhe kanë paguar pagesat, se do t’u vijnë tapitë në shtëpitë e tyre nën përgjegjësinë e Bashkisë së Tiranës. Në Tiranë përfitojnë nga ky proces afro 14 mijë familje. Janë më pak se sa 50 mijë familje që po përfitojnë nga procesi i hipotekimit.

Çfarë do të ndodhë me këto lagje?

Legalizim dhe urbanizim. Legalizimi është një proces që do të përfundojë. Unë si kryetar i Bashkisë së Tiranës angazhohem që brenda datës 30 shtator, në territorin e bashkisë së Tiranës të mos ketë asnjë objekt të palegalizuar. Ndërsa infrastruktura është një proces që do të zgjasë diçka më shumë, 2 deri në 3 vjet.

Përse jeni përfshirë në fushatë elektorale? Cili është pozicioni i kryetarit të Bashkisë?

Kryetari i Bashkisë është në krye të detyrës dhe po bën detyrat e Bashkisë së Tiranës. Unë bëj çdo punë që Bashkia kërkon nga kryetari në mënyrë të përditshme; kam këtë kohë kontakte të jashtëzakonshme me njerëzit, bëj takime edhe të premten me qytetarët.

Në fakt, a e ka mjegulluar punën e Bashkisë fushata, a është shpartalluar administrata e Bashkisë?

Absolutisht jo! Administrata është tërësisht e angazhuar. Në çdo aspekt puna vazhdon me intensitet të lartë.

A janë përfshirë apo jo strukturat e Bashkisë në fushatë elektorale?

Çdo qytetar është i lirë, pa shkelur ligjin, të bëjë atë që do. Çdo punonjës në Bashkinë e Tiranës vazhdon të kryejë detyrat si pjesëtar i kësaj bashkie.

Zoti Basha, ju po thoni se mazhoranca do t’i fitojë sërish zgjedhjet?

Unë jam i bindur që mazhoranca do t’i fitojë sërish zgjedhjet.

 A ka ngjallur dyshime në PD prania juaj në fushatë dhe prania juaj pranë Kryeministrit?

Mendoj se do të ngjallte habi mospërfshirja ime. E një personi që nuk vjen në këtë aksion. Unë tashmë jam pjesë e aksionit politik të PD-së si një pjesë e aksionit qytetar.

A ardhmja juaj do të jetë në Bashkinë e Tiranës edhe gjatë mandatit të ardhshëm zoti Basha?

Unë kam pikë së pari detyrat e mia për këtë mandat dhe pas kësaj kur të vijë koha do të flasim për hallet e tjera.

A do të ndjeni ju përgjegjësi personale në rast se rezultati në Tiranë nuk do të jetë ai i pritshmi?

Unë ju thashë se nuk punoj me “në qoftë se”, por unë po punoj fort që qytetarët e Tiranës të kuptojnë se sot kanë shansin që të mendojnë për veten e tyre, të mos bëjnë zgjedhje për të vendosur Bashkinë e Tiranës përballë konfliktit politik…

Mos lidhet me faktin se opozita projekton tek ju drejtuesin e ardhshëm të PD-së?

Drejtuesi i ardhshëm i PD-së është Sali Berisha. Kjo nuk shquhet si një opozitë largpamëse.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Opinion”

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.