Basha: Arrestimi i Mziut ishte i paligjshëm, PD e hapur për çdo hetim

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetë të kësaj partie kanë vizituar pasditen e sotme në ambientet e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu i cili me një vendim të Gjykatës së Apelit u lirua nga burgu, ku qëndroi për 24 ditë me radhë, pas akuzave për korrupsion.
Në një prononcim për mediat pas këtij takimi, kreu i PD e cilësoi krejtësisht të paligjshëm arrestimin e Mziut, ndërkohë që shprehu edhe një herë mbështetjen e forcës politike që përfaqëson për shtetin ligjor dhe të së drejtës. Sipas tij PD është e hapur në çdo kohë për çfarëdo hetimi që ka të bëjë me 8 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike.
“Arrestimi i Xhelal Mziut zgjati për plot 24 ditë. Dua të theksoj në mënyrë të prerë se, PD siç ka deklaruar që në fillim, ka qenë dhe mbetet e angazhuar fuqimisht për shtetin ligjor dhe të drejtës, e për këtë qëllim mbetet e hapur për çdo lloj hetimi. Faktet tregojnë se mënyrë se si Mziu u ndalua, shoqërua dhe u vu në masën e arrestit, tregon se kemi të bëjmë jo thjesht me një shkelje, dhunim të ligjit dhe garancive kushtetuese që ligji u jep jo vetëm kryebashkiakëve, por çdo qytetari”.
Sipas Bashës, vendimi i sotëm i Apelit tregon se lidhur me këtë çështje triumfoi drejtësia.
Shqip
Add new comment