Bankat në garë për eurot e emigrantëve dhe turizmit

Postuar në 19 Gusht, 2013 16:40

Muaji gusht është i artë për bankat, por edhe për ekonominë në tërësi. Aq valutë sa hyn gjashtë gjithë vitit barazohet vetëm me prurjet e gushtit. Të ardhurat nga emigrantët, turizmi dhe eksportet bujqësore arrijnë kulmin. Ndaj bankat kanë hedhur në treg oferta ekstra për llogaritë e kursimeve për të tërhequr sa më shumë depozita nga kjo sasi valute. Bankat kryesore kanë filluar ofertat promocionale për kursimet. Kush hap llogari kursimi në gusht ka interesa më të larta, lehtësi ekstra dhe të tjera elemente lehtësuese që bankat vitet e fundit i kanë bërë traditë t’i ofrojnë vetëm në gusht. Prurjet nga turizmi, emigrantët dhe eksportet, arrijnë gjatë një viti gati 3 miliardë dollarë. Ky është një burim i konsiderueshëm rritjeje për ekonominë tonë ndaj dhe bankat janë më të vëmendshme për periudhat në të cilat kjo sasi valute hyn në vendin tonë. Në tërësi pa ofertat verore, interesat e depozitave bankare për të gjitha llojet e valutave kanë rënë ndjeshëm, por së fundi ulja më e madhe ka ndodhur për depozitat në lekë. Interesi i tyre për afatin 1-vjeçar, maksimumi është 4 për qind në bankat e vogla, ndërsa në bankat e mëdha jo më shumë se 3.5 për qind. Madje shumë prej tyre kanë zgjedhur të mos i publikojnë përqindjet e interesit në web-et përkatëse, me sa duket për të mos nxitur tërheqjen e tyre nga klientët. Interesat e depozitave në vendin tonë në periudha të veçanta kanë qenë edhe 8 për qind për monedhën vendase, duke mundësuar kështu jetesën vetëm nga interesat mujore për një kategori klientësh që kanë shuma të konsiderueshme në banka. Mirëpo tani depozitat në banka nuk gjenerojnë më shuma shtesë si më parë. Për këtë shkak, vitin e fundit është vënë re një dalje e kursimeve nga sistemi bankar. Shoqata e Bankave e shpjegon këtë rrjedhje të depozitave të shqiptarëve me ritmet më të ulëta të sigurimit të të ardhurave dhe sidomos prurjeve në valutë, që kanë shoqëruar uljen e normave të interesave të depozitave. Mirëpo shkak kryesor mbetet përgjigjja ndaj uljes së normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë, ky ngadalësim vlerësohet të jetë në linjë me situatën financiare të konsumatorëve dhe krijimin më të pakët të parasë në ekonomi.

Në fakt, kriza e vendeve fqinje Itali e Greqi, ku jetojnë pjesa më e madhe e emigrantëve, ka ulur pritshmëritë për rritjen tradicionale të kursimeve në muajin gusht. Jo pa qëllim, në këtë periudhë bankat nisin fushatat publicitare ku reklamojnë ofertat më të fundit. Disa prej tyre e kanë nisur tashmë “garën”. Megjithatë, bie në sy numri i pakët i ofertave dhe reklamave të bankave në raport me vitet e kaluara. Teksa kanë frenuar ndjeshëm huadhënien, një nga alternativat më fitimprurëse të investimit të depozitave, bankat janë të stepura në tërheqjen e sa më shumë kursimeve nga individët. Me bazë vjetore, kursimet në ekonomi janë rritur me 34 miliardë lekë apo 3.8%. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin 85 miliardë lekë dhe 10%. Teksa individët dhe bizneset kanë tërhequr kursimet në euro, pesha e depozitave në valutë ka rënë në 47% në fund të qershorit 2013, nga 48% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zakonisht klientët depozitues janë të orientuar drejt afatit 12-mujor, por në këtë periudhë kur normat e interesit në treg tregojnë prej muajsh një tendencë drejt rënies, ata priren të depozitojnë me periudha më të gjata kohe se një vit, pasi edhe interesat janë më të larta.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.