Banda e Durrësit kërkon “pafajësi” në Gjykatën Lartë, relator Tom Ndreca

Postuar në 12 Shtator, 2013 03:05

Është konsideruar si një ndër bandat më kriminale në vend dhe me sa duket për këtë, procedurat e gjykimit anashkalojnë çdo pengesë administrative.

Vetëm pas një muaji që kanë depozituar rekursin në Gjykatën e Lartë, të mërkurën është zhvilluar seanca e parë ku anëtarët e të ashtuquajturës “Banda e Durrësit” kërkojnë rrëzimin e dënimeve me burgim të përjetshëm për krimet që nisin me vrasje dhe përfundojnë me krijimin e një organizate kriminale.

Kërkesa e anëtarëve të “Bandës së Durrësit”, ku si kryetar i saj është cilësuar Lulëzim Berisha, është depozituar në Gjykatën e Lartë më 25 korrik, dhe pas dy javësh pune, merret në shqyrtim ankimimi ndaj vendimeve për dënime kapitale.

Sipas rekursit të bërë, anëtarët e bandës kërkojnë prishjen e vendimeve të dy shkallëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilët kanë vendosur 4 burgime të përjetshme dhe 245 vite burg për 16 anëtarët e “Bandës së Durrësit”.

 

Rekursi

As pesë minuta nuk ka zgjatur seance e së mërkurës e ankimimit të anëtarëve të “Bandës së Durrësit”.

Relatori i kësaj dosje, Tom Ndreca, është detyruar të mbyllë seancën me argumentin se nuk është formësuar trupi gjykues i katër anëtarëve të Kolegjit Penal.

Kur nuk ka kaluar as një muaj nga rekursi ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, anëtarët e Kolegjit Penal kanë marrë në rishqyrtim këtë dosje, në kohën që në Gjykatën e Lartë qindra dosje presin me muaj të tërë për t’u marrë në shqyrtim.

Por kjo nuk është çudia e vetme që po ndodh me këtë dosje. Relatori i çështjes, Tom Ndreca, ndërpreu procesin pa bërë me dije seancën e radhës.

Gjyqtari Ndreca, ish- anëtari i Kolegjit Zgjedhor, është mjaftuar duke thënë se për seancën e radhës do të njoftohen avokatët e të pandehurve.

16 anëtarët e bandës janë dënuar me 4 burgime të përjetshme dhe me 245 vite burg.

Ata akuzohen për së paku 9 vrasje, krijime të bandës së armatosur, grabitje, pengmarrje, trafik droge, prostitucion. Gjykata ka vendosur të dënojë me burgim të përjetshëm drejtuesit e kësaj bande Lulzim Berishën, Endrit Doklen, Indrit Taullain dhe të shumëkërkuarin Plaurent Dervishajn.

Për të penduarin Adriatik Coli u vendos burgimi i përjetshëm, por për faktin se ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë, gjykata vendosi ta dënojë përfundimisht me 10 vite burg.

Coli ka rrëfyer disa episode kyçe, ku janë përshkruar me detaje momentet e ekzekutimeve të anëtarëve të kësaj bande famëkeqe. Ndërkohë me 25 vite burg janë dënuar të pandehurit Sardian Sulejmani, Elvin Hoxhosmali, Altin Olloni e Kujtim Buna.

Me nga 20 vite burg janë dënuar Alban Neli, Kristian Begu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi e Altin Nikolla, ndërsa për të pandehurin Spartak Kalthi, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 10 vite burg për faktin se gjatë kohës së kryerjes së krimeve, Kalthi ka qenë minoren.

 

Krimet e bandës

Banda kriminale ka nisur të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

17 tetor 1998

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998

Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.

22 gusht 1999

Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998, është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000

Organizata kriminale, e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu, akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit

14 janar 2002

Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha- Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

Janar 2003

Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

26 shkurt 2005

Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005

Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit

30 tetor 2005

Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

   TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.