Azem Hajdari sot do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve

Lideri i lëvizjes studentore të Dhjetorit 1990, Heroi i Demokracisë Azem Hajdari sot do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, ish-studentët e lëvizjes së dhjetorit ‘90, miq, shokë dhe kolegë të tij, do të kryejnë sot homazhe për nder të tij e më pas do ta përcjellin për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ceremonia do të nisë në orën 10:00, në Pallatin e Kongreseve ku do të kryhen homazhe, në nderim të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, ndërsa në orën 12:00, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, do të niset për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në orën 12:30, do të nisë ceremonia e varrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish – Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë. Vendimi për të rivarrosur Azem Hajdarin në Varrezat e Dëshmorëve u mor në datën 5 shtator dhe bashkia ngriti një komision të posaçëm pune që do të merrej pikërisht me ceremoninë që përkon me 15-vjetorin e vrasjes së tij.
SHQIP
Add new comment