Athinë, 7000 policë për ruajtjen e sigurisë së kancelares Merkel

Policia dhe ministria greke e Mbrojtjes janë në gjendje gatishmërie të plotë, për vizitën që kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë më 9 tetor në Athinë, ndërkohë që janë njoftuar lëvizje proteste të sindikatave të punonjësve.
Të martën pritet të aktivizohet gati gjithë forca policore e Atikës. Thuhet se masat do të jenë të ngjashme dhe të krahasueshme me ato të nëntorit 1999, gjatë vizitës së presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Klinton.
Rreth 7000 oficerë policie dhe pa uniformë do të rrethojnë ndërtesat e Kryeministrisë, Parlamentit dhe gjithë zonën e qendrës. Në gatishmëri do të jenë forcat e ndërhyrjes së shpejtë MAT, ndërsa motoçiklistët e forcave DIAS dhe Delta do të patrullojnë rrugët për të parandaluar trazirat. Nga ajri do të patrullojnë 24 orë helikopterët. Oficerët që marrin pjesë në planin e sigurisë kanë urdhra të rrepta për të ruajtur rendin, për të kryer arrestime parandaluese dhe ndërhyrje të menjëhershme.
Aktivizimi i masave të sigurisë për kancelaren gjermane do të fillojnë pas mbërritjes së saj në aeroportin "Eleftherios Venizelos". Plani i sigurisë ndahet në dy pjesë: ai që ka të bëjë me mbërritjen, takimet dhe nisjen e Kancelares dhe ai që lidhet me ruajtjen e rendit gjatë demonstratave të planifikuara.
Rruga do të bëjë Merkel në Athinë do të mbikëqyret nga oficerët e shërbimeve të ndryshme, me uniformë ose jo. Gjithashtu nën masa të rrepta do të jetë zona në të cilën gjendet hoteli ku do të qëndrojë Kancelarja, Ambasada Gjermane, Instituti Gëte dhe kompanitë gjermane.
Edhe pse kryeministri Antonis Samaras ka thënë se "do ta mirëpresë Merkelin siç i ka hije një udhëheqësi të madh dhe të një vendi mik si Gjermania", sindikatat janë duke u përgatitur për t’i bërë një pritje tjetër kancelares gjermane.
Punonjësit do të ndërpresin punën, nga ora 12 00 deri në orën 15 00, ndërsa një tubim është planifikuar për në ora 13 00 në sheshin Sintagma. "Punëtorët, pensionistët dhe të papunët nuk e durojnë më politikën ndëshkuese të Bashkimit Evropian në vend të zgjidhjes së problemeve të vendit dhe shoqërisë, ndërkohë që ekonomia po zhytet recesion", thuhet në njoftimin e sindikatave.
Edhe “Grekët e Pavarur” të Panos Kamenos bëjnë thirrje për një protestë të qytetarëve para ambasadës gjermane, të martën në orën 18:00, kundër "transformimit të vendit në një protektorat gjerman".
Çfarë pret qeveria greke nga vizita e Merkel?
Qeveria greke pret që vizita e Merkel të përgatisë klimën për disbursimin e këstit të kredisë prej 31.5 mld euro për Greqinë, ndërkohë që kërkesat e ashpra të Trojkës kanë ngjallur pakënaqësi edhe në mesin e partnerëve në qeveri. Paketa e masave pritet të shkaktojë rrjedhje votash në parlamentin grek, gjë që do të dobësojë legjitimitetin politik të masave.
Ndërkaq shpresën e kryeministrit Samaras e ka prerë në mes ministri gjerman i Financave, Volfgang Schauble, i cili theksoi se disbursimi i këstit të ardhshëm të ndihmës për Greqinë, do të vendoset pas raportit të Treshes. Kur u pyet nëse udhëtimi Merkel është i lidhur me lëvrimin e këstit 31.5 mld euro, z.Schäuble, deklaroi se "Kancelarja nuk do të diskutojë me Greqinë çështje, për të cilën duhet së pari të shkruhet raporti i Trojkës. Greqia duhet të përmbushë detyrimet e saj për të marrë dozën tjetër të parave".
Ballkanweb.com
Add new comment