Atentat në Laç, ekzekutohet 25-vjeçari ditën e lirimit nga burgu

Postuar në 30 Prill, 2013 04:57

Një 25-vjeçar nga Laçi ekzekutohet në ditën e parë të lirisë, ndërsa një person i dytë plagoset në qendër të qytetit. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme dhe sipas policisë, ka pasur si motiv larjen e hesapeve. Burime të policisë thanë se atentati ndodhi rreth orës 20:10 minuta pranë shkollës së Sanxhakut, ndërsa një person ka hapur zjarr në drejtim të dy të rinjve. Objekti i këtij atentati ka qenë Besart Ndreu, një 25-vjeçar i sapoliruar nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin për një plagosje. Në vendngjarje është plagosur edhe një 22-vjeçar, mik me të, i cili ndodhet në mjediset e Spitalit Ushtarak. Të njëjtat burime të policisë lokale thonë se viktima Ndreu gëzonte dje ditën e parë të lirisë, pasi kishte dalë nga burgu. “I plagosuri quhet Klentin Bajraktari, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Ushtarak”, – i thanë mbrëmë MAPO-s, burime nga policia e Laçit. Menjëherë pas krimit të rëndë, dhjetëra punonjës policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në lagjen Sanxhak dhe kanë nisur hetimet. Puna e policisë është favorizuar nga vendi ku ndodhi atentati, një ambient i populluar, duke siguruar kështu dhe dëshmitarët e parë okularë. Një numër i madh personash janë shoqëruar në ambientet e policisë, ku brenda pak minutash i kanë dhënë policisë emrin e një të dyshuari. Albert Tuci, një 22-vjeçar me konflikt të hershëm me Besart Ndreun, dyshohet të jetë autori i vrasjes së tij. Në një hark të shkurtër kohor, policia ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia e Laçit e cilësonte të zbardhur atentatin me një të vrarë e një të plagosur. Duke e ditur ditën e lirimit nga burgu të rivalit të tij, Albert Tuci i ka zënë atij pritë në afërsi të shkollës, duke e qëlluar me një automatik kallashnikov. Pas arrestimit, policia ka sekuestruar armën e krimit, ndërsa i dyshuari është marrë në pyetje deri në orët e vona për të zbardhur motivet e krimit. Burimet e policisë thanë se Albert Tuci është djali i xhaxhait të të plagosurit prej viktimës, për të cilin ai kishte bërë edhe burgun. “Motivi i këtij atentati ka qenë plagosja e Sajmir Tucit prej Besart Ndreut, vepër penale për të cilën ai e kishte kryer dënimin”,- tha policia.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.