ASKUND ME AUTOSTRADË

Autostrada Prishtinë – Shkup nuk do të nisë në pranverë, ashtu siç është paralajmëruar tash sa kohë nga Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës. Procedurat për fillimin e ndërtimit të kësaj autostrade nuk janë askund gati. Madje, nuk janë afër as për shpalljen e tenderit.
Deklarimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, se ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup do të nisë në pranverë, po dalin të pavërteta.
Ata nuk janë as afër përfundimit të procedurave të shpalljes së tenderit e lëre më të nënshkrimit të kontratës për fillimin e ndërtimeve.
Ende nuk ka përfunduar as procedura e shpalljes së interesit, e cila është thënë se do të bëhet edhe në mediat ndërkombëtare.
Pothuajse për gjatë tërë vitit 2012, drejtuesit e Qeverisë, gjegjësisht ata të Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë se qysh në janar punimet do të nisin. Ndërsa deklarimet kanë qenë që brenda vitit 2012 do të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese.
Burime të Express tregojnë se Ministria e Infrastrukturës nëse ndiqen procedurat e rregullta, atëherë punimet duhet të fillojnë diku në përfundim të pranverës ose në verë.
“Vetëm nëse tejkalohen procedurat ligjore se përndryshe nuk mund të fillojnë punët në pranverë”, tha ky burim.
Por, për këtë çështje drejtuesit e MI’së nuk flasin. Nuk janë përgjigjur as ministri e as këshilltarët e tij, të cilët thuhet se janë të vetmit që kanë lidhje me ndërtimin e këtij projekti rrugor.
“Ne presim që deri në fundvit të vijmë deri te përfundimi i të gjitha obligimeve tona si ministri, për përgatitjen teknike dhe krijimin e kushteve të volitshme buxhetore, e më pas edhe do të nënshkruhet kontrata për këtë rrugë”, kështu kishte deklaruar ministri Fehmi Mujota diku kah vjeshta e vitit të kaluar për ndërtimin e autostradës.
Njëjtë pati deklaruar edhe vetë këshilltari i Ministrit Mujota, Lah Nitaj. Ai siguronte se kontrata do të nënshkruhet brenda vitit 2012 me ndërtuesin e këtij projekti.
“Pas konsultimeve që kemi pasur me mekanizmat ndërkombëtarë dhe akterët qeveritarë, akordimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ne presim që proceset tenderuese dhe deri tek arritja e kontratës me operatorë të caktuar ekonomikë, të përfundojnë brenda vitit 2012”, pati thënë Nitaj.
Deklarata identike si të këtyre dy drejtuesve të ministrisë ka dhënë edhe shefi i Qeverisë Hashim Thaçi. Në një mbledhje të qeverisë kishte garantuar se ndërtimi do të nisë në fillim të vitit 2013 në segmentin rrugor Prishtinë – Ferizaj.
Qeveria e Kosovës tashmë ka siguruar mjetet ta nisë autostradën e re. Madje, në top prioritetet e veta pati vënë që në janar të vitit 2013 të fillojë ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, e njohur si Rruga 6.
Ish Ministri i Financave të Kosovës, Bedri Hamza, ka konfirmuar për gazetën Express se gjithçka është gati sa i përket aspektit financiar.
“Realisht janë krijuar kushtet që të mund të vazhdojmë edhe me financim prej buxhetit”, është shprehur Hamza.
Autostrada fillon nga Lipjani. Një rreth-rrotullim i madh afër QMI’së në komunën e Lipjanit do të jetë kyçja e parë në autostradën që do ta lidhë kryeqytetin e Kosovës me Hanin e Elezit në kufi me Maqedoninë. Në 55.8 kilometra rrugë do të ndërtohen tri tunele, dhjetëra ura do të zhvendosen disa kilometra binarë të hekurudhës.
Për ta drejtuar mirë trasenë do të devijohet edhe rrjedha e lumit Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Krejt këto punë për autostradën, që nuk e ka as gjysmën e gjatësisë së asaj Vërmicë – Merdarë, do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit jo më pak se 793 milion euro.
Afër 13 kilometra në terren mjaft sfidues në drejtim të Hanit të Elezit. Autostrada në fakt do të kalojë kryesisht në luginën e lumit. Pra, në këtë luginë duhet të jenë hekurudha, lumi dhe autostrada. Kështu, në disa vende lumi dhe hekurudha duhet të zhvendosen për të krijuar hapësirë. Gjithashtu do të jetë e nevojshme që të bëhen disa prerje të shkëmbinjve për të zgjeruar shtratin e lumit.
EXPRESS
Add new comment