Ashton: Progresi, në duart tuaja

Postuar në 16 Prill, 2013 06:47

Pas takimeve që pati me kreun e shtetit shqiptar, Kryeministrin dhe kreun e opozitës,përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton, në një deklatë për media përcolli mesazhin e Brukselit, se Shqipëria duhet të marrë përsipër sfidat, të ecë përpara, dhe duke bërë këtë Bashkimi Evropian do të jetë pranë për të dhënë ndihmën e tij. 

"BE është vërtet i përkushtuar ndaj përspektivës europiane të Shqipërisë dhe ne duam që vendi juaj të ecë përpara me një ritëm të mirë, por progresi drejt rrugës së BE-së është në duart tuaja. Elementët kyç për progres janë dialogu i mirëfilltë dhe konstruktiv mes palëve, sidomos me çështjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", tha Ashton.

Ashton: Politikanët të tregohen të përgjegjshëm 

Ne njoftimin e bere publik nga Zyra e Presidencës, Ashton gjatë takimit me Nishanin u shpreh se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit. Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.

Nga ana e tij Presidenti Nishani shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Europian, duke falenderuar Bashkimin Europian dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit.

Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.