Ashton: Përparim i dukshëm në dialog

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, takuan sot Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshën Catherine Ashton.
Në takim morën pjesë edhe ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku dhe koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Blerim Shala.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e vlerësoi vizitën e zonjës Ashton të rëndësishme meqë kontribuon në kuptimin e rëndësisë së procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, i cili për synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Jahjaga theksoi se i ka dhënë mbështetje dialogut si e vetmja zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin.
Ajo theksoi se procesi i dialogut nuk ka hapur çështje të tjera që lidhen me statusin ose ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, dhe vlerësoi se marrëveshjet e arritura deri tash janë një bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka hyrë në procesin e dialogut e përkushtuar për të përmirësuar pozitën e komunitetit serb në Kosovë dhe për t’i integruar ata në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Ajo tha se duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka treguar se është konstruktive dhe fleksibile brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të saj dhe tha se është me rëndësi arritja e marrëveshjeve që mund të zbatohen me sukses.
Ajo theksoi se i jep mbështetje të plotë procesit të dialogut dhe tha se me rëndësi është që të arrihen zgjidhje afatgjata e përfundimtare që nuk do të cenojnë funksionalitetin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të negociohen dhe nuk ka kthim prapa. Ajo tha se Kosova dëshiron që të konsolidojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe që të përafrohen më shumë me BE-në.
Presidentja Jahjaga theksoi se me rëndësi është që Kosova të marrë sinjale pozitive nga BE-ja, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ashton, theksoi rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe vlerësoi konstruktivitetin e palëve në këtë proces.
Ajo tha se është arritur një përparim i dukshëm në dialog dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Ashton ka filluar takimet në Prishtinë
Kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, ka filluar takimet në Prishtinë. Ajo ka takuar presidenten Jahjaga dhe kryeministrin Thaçi. Pas këtij takimi ajo ka një takim të përbashkët me përfaqësues të partive politike.
Në agjendë nuk është paraparë asnjë adresim për media. Temë e diskutimeve pritet të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin janë shfaqur mospajtime mes palëve. Kryeministri Thaçi këtë vizitë, e ka cilësuar inkurajuese e cila do t`i lëvizë gjërat përpara.
Ju flet Baronesha
Catherine Ashton ka arritur në Kosovë në përpjekje për t’i bindur udhëheqësit kosovarë të arrijnë marrëveshje për Veriun. Përpos me Presidenten dhe Kryeministrin, Baronesha do ta takojë edhe një pjesë të opozitës. Në Vetëvendosje kanë thënë se s’kanë marrë ftesë për takim, ndërsa LDK’në e përfaqëson Ismet Beqiri.
Baronesha Catherine Ashton në mëngjesin e ditës së enjte do t’u tregojë liderëve të Kosovës se çka dëshiron të arrijë në dialogun që pritet të vazhdojë më 20 mars me Serbinë.
Ajo fillimisht do të takojë Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi për të vazhduar pastaj takimet me opozitën, ku pritet të jetë prezent edhe Shefi i Qeverisë.
Shefja për Politikë të Jashtme të BE’së, e cila ka arritur në Kosovë të mërkurën në mbrëmje, nuk do të takohet me Isa Mustafën e LDK’së dhe Albin Kurtin e Vetëvendosjes.
Derisa Kryetari i LDK’së ndodhet në Bruksel dhe e ka autorizuar Shefin e Grupit Parlamentar, Ismet Beqirin për të shkuar në takim, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk është ftuar fare të marrë pjesë në takim.
“Nuk na kanë dërguar ftesë”, ka thënë Erzen Vraniqi i Vetëvendosjes.
Ai nuk ka treguar nëse do ta kishin refuzuar ftesën apo do të merrnin pjesë.
“S’do me thënë se nuk ishim përgjigj”, ka deklaruar Vraniqi.
Ndërkohë, zyrtarët e LDK’së kanë thënë se pavarësisht se çfarë do të prezantojë Ashton, ata nuk do të pranojnë asgjë më shumë se sa është e paraparë në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Me sa di unë Kryetari i LDK’së nuk do të jetë në Kosovë dhe mund të jetë i ngarkuar për t’u takuar me Baroneshën Shefi i Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri”, ka thënë Arben Gashi, deputet i LDK’së.
“Qëndrimi zyrtar i LDK’së është që të mbrohen interesat legjitime të Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e saj. Qëndrimi i LDK’së është që ne të funksionojmë në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës aktuale”, ka thënë ai.
Ndërkohë përballë Baroneshës Ashton të enjten në mëngjes përpos Hashim Thaçit, Ismet Beqirit e Behgjet Pacollit pritet të jetë edhe Ramush Haradinaj.
Zyrtarë të AAK’së kanë thënë se Haradinaj do të jetë pjesë e takimit për ta pritur zyrtaren e BE’së.
Gjatë ditës së mërkurë, Kryeministri Thaçi ka thënë se vizita e Baroneshës Catherine Ashton në Kosovë është inkurajuese që do të mund të shtynte implementimin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu me Serbinë.
“Vizita e Baroneshës Ashton është inkurajuese për Prishtinën dhe natyrisht do të jetë një vizitë që besoj do të mund të lëvizë gjërat përpara që të ndodhin më herët”, ka shtuar ai.
Shefi i Qeverisë ka folur edhe për asociacionin e komunave serbe, duke thënë se gjithçka do të jetë në kuadër të ligjeve të Kosovës.
Thaçi ka treguar se ka pasur edhe një bisedë telefonike me zyrtarin amerikan Philip Reeker, i cili merr pjesë në çdo takim që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë.
Në anën tjetër, Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, sërish ka thënë se zgjidhja për Kosovën duhet gjetur me kompromis dhe jo vetëm në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Ai në një konferencë për gazetarë në Kopaonik, ka folur për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se në Beograd, edhe pse ka vullnet për t’u zgjidhur kjo çështje, “nuk ka pajtim se çka do të bëjë dhe se çka është ky asociacion”.
Asociacioni po diskutohet në takimet në mes të Dacicit dhe Thaçit në Bruksel.
Ndryshe, Ashton pas takimeve me udhëheqësit e Kosovës pritet të shkojë në Beograd për t’i takuar liderët e tyre.
Lehtësuesja e dialogut Kosovë – Serbi vjen për vizitë në këto dy shtete për të shtyrë përpara marrëveshjen për Veriun.
Deri më tash, ajo ka ndërmjetësuar gjashtë takime mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit. Takimi i shtatë mbahet më 20 mars, ku pritet të merren vesh për themelimin e asociacionit të komunave serbe.
EXPRESS
Add new comment