Arvizu: Shqipëria, 'fshat' ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, luftoni korrupsionin

Ambasada amerikane në Tiranë ka organizuar një takim, ku i pranishëm ka qenë ambasadori Aleksandër Arvizu dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Në këtë takim u fol për rolin e drejtësisë në vend. Ambasadori Arvizu e ka quajtur, vendin tonë një fshat ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, por sipas tij institucionet duhet të zbatojnë ligjin.
Ambasadori i SHBA-ve ka nënvizuar rëndësinë e madhe që ka për vendin lufta kundër korrupsionit, ndërsa ka garantuar mbështetjen e SHBA-ve për njësitë e përbashkëta hetimore në luftën kundër këtij fenomeni.
“Mbështesim njësitë e përbashkëta hetimore pasi besojmë tek një qasje rajonale dhe kombëtare. SHBA ka mbështetur njësitë e përbashkëta hetimore. Shqipëria është një fshat ku të gjithë e njohin njëri -tjetrin dhe zyrat rajonale të hetimit mund të ndiejnë trysninë e presionit gjatë hetimit të një personi. Nxis që të trajtoni dhe të hetoni institucionet që kanë penguar ndjekjen me sukses të rasteve të korrupsionit. Mbështesim rolin e Prokurorit të Përgjithshëm gjatë hetimeve të rasteve të korrupsionit”, tha Arvizu.
Sipas këtij të fundit të rreth 80 për qind e shqiptarëve besojnë se gjyqësori është i korruptuar dhe drejtuesit punojnë duke marrë ryshfet.
“Gjyqësori është një institucion më pak i besuar pasi 80 për qind e shqiptarëve e shohin atë si të korruptuar. Ndjekja penale e suksesshme kërkon mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë që të denoncohen rastet e korrupsionit nga publiku. Është me rëndësi nisja e një fushate për të bindur shqiptarët të reshtin të paguajnë ryshfet” shtoi Arvizu.
Ndërsa prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka kërkuar, nga njësitë e hetimit angazhim maksimal për rastet e korrupsionit, ndërsa paralajmëroi se do të kontrolloj rastet konkrete.
“Organi i hetimit ka përgjegjësinë më të madhe në luftën ndaj korrupsionit dhe sfida e luftës ndaj korrupsionit kërkon bashkëpunim. Kam ofruar të gjithë mbështetjen institucionale ndaj njësive task-forcë në luftën antikorrupsion. Këto njësi kanë fituar eksperiencat më të mira ndërkombëtare. Kërkoj më shumë angazhim nga njësitë e hetimit dhe do të kontrolloj rezultatet e tyre konkrete. Qytetarët kanë pritshmëri të lartë në luftën antikorrupsion prandaj kërkohet angazhim maksimal”, tha Llalla.
/Shekulli Online/
Add new comment