Arvizu: S’jeni gati për heqjen e vizave me Amerikën. Disa njerëz urrejnë nismën “Act Now”

Postuar në 03 Qershor, 2013 14:57

Në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka folur edhe për liberalizimin e vizave me SHBA-në. Sipas kryediplomatit amerikan, Shqipëria nuk është gati për këtë hap, ndaj edhe vizat nuk mund të hiqen.

“Ka disa kritere që e bëjnë një vend të vlefshëm për programin e liberalizimit të vizave dhe një prej tyre është niveli i refuzimit të vizave, që duhet të jetë nën 3%. Vitin e shkuar kalendarik, niveli i refuzimit të shqiptarëve ka qenë 40.5% dhe nëse do shihni, vitet e fundit, s’ka qenë nën 30% dhe s’ka shkuar mbi 45%. Pra, një staticien mund të më thotë se cili është probabiliteti. Faktet janë fakte. Diçka tjetër që mund ta bazoj këtë është se ne nuk negociojmë si me BE-në. Ndoshta ju si shqiptarë jeni mësuar që çdo 6 muaj, vjen një nga Brukseli e ju thotë se keni bërë përparime etj. etj. Por, nuk ka negociata, nuk ka një raportim të statusit; pra, ose kualifikohesh ose nuk kualifikohesh. Ju nuk jeni gati,” - tha Arvizu.

Ndër të tjera, Arvizu është ndalur edhe te nisma e ambasadës amerikane “Vepro Tani” (Act Now), për të cilën ka thënë se ka njerëz që e urrejnë atë.

“Së bashku me disa kolegë në ambasadë kemi ndërmarrë nismën ACT NOW (Vepro Tani). Jam me të vërtetë krenar për këtë nisëm. Dua të jem i sinqertë me ju. Disa njerëz në Shqipëri e urrejnë atë. Ata e urrejnë “Vepro Tani”. Përse e urrejnë? Është shumë e thjeshtë. Disa njerëz mendojnë se ne po ndihmojmë shoqërinë civile. Jo. Shoqëria civile mund të jetë mjeti. “Vepro Tani” nuk është asgjë më shumë se sa të përpiqesh të bësh gjëra. Që zëri juaj të dëgjohet dhe të ketë vlerë. “Vepro Tani” nuk ka asnjë lidhje me politikën, nuk mban kahun e njërës apo tjetrës palë. Cilitdo që nuk i pëlqen “Vepro tani”, kjo më tregon se si ata ndihen për popullin shqiptar. Në cilëndo demokraci dhe në SHBA njerëzit të thonë dhe unë jam zyrtar i qeverisë amerikane. Ata thonë mos beso se çfarë të thotë qeveria. Kjo nuk është këshillë e keqe. Si amerikan unë përfaqësoj qeverinë dhe dua që njerëzit të besojnë atë që unë bëj, por si qytetar unë nuk besoj gjithçka që qeveria më thotë mua dhe mendoj se kjo është e shëndetshme. Mos besoni gjithçka që ju thuhet, pasi keni fituar të drejtën që të mendoni lirisht të bëni zgjedhjet tuaja dhe jo të tjerët ta bëjnë atë”- është shprehur Arvizu.

Po kështu ambasadori amerikan ka folur edhe për rëndësinë e votës, duke i nxitur të rinjtë të marrin pjesë në votime, pasi edhe një votë e vetme mund të bëj diferencën.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.