Arvizu: Lufta kundër korrupsionit me rëndësi të madhe. Llalla: Do kontrolloj vetë rezultatet e antikurrupsionit

Postuar në 23 Shtator, 2013 09:30

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, garanton mbështetjen e vendit të tij për njësitë e përbashkëta hetimore në luftën kundër korrupsionit.

““I kemi mbështetur Njësitë edhe për shkak se ne besojmë në një qasje rajonale, por dhe kombëtare për hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit publik. Njësitë janë konceptuar në mënyrë rajonale në mënyrë që të sigurohet që zyrtarët publik në të gjithë Shqipërinë të jenë nën vëzhgimin e zbatimit të ligjit dhe që profesionistë të trajnuar të jenë të gatshëm anembanë vendit kurdo që të lindë nevoja. Tani, diçka që kam mësuar është që Shqipëria është si një fshat ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin; këtë gjë e dëgjoj gjithnjë.

Por, mendojeni kështu: edhe pse është e vërtetë që një Njësi mund të ndjejë trysni lidhur me hetimin e një personi të fuqishëm lokal, kjo Njësi mund t’ia referojë këtë rast një Njësie në një rajon tjetër, që është më e lirë nga trysnia e perceptuar. Kjo është një periudhë tranzicioni në Shqipëri. Tranzicionet vijnë me sfida, por ato gjithashtu ofrojnë mundësi. Nga ana jonë, ne në Ambasadë kemi shfrytëzuar këtë periudhë tranzicioni për të folur me Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrin e ri të Drejtësisë, Ministrin e ri të Brendshëm, prokurorë të rëndësishëm, që të gjithë ta shohin këtë periudhë tranzicioni si një mundësi për të ndryshuar perceptimin e korrupsionit në vend, në mënyrë të veçantë mënyrën se si mund të punohet së bashku për të trajtuar çështjet e korrupsionit. Dhe unë e shoh këtë si një mundësi të cilën ju mund ta përdorni për të ndihmuar më tej në këtë përpjekje. “- vijoi ambasadori”,- tha Arvizu, në një takim me 7 njësitë speciale të hetimit.

Diplomati amerikan theksoi se lufta kundër korrupsionit është me rëndësi të madhe për Shqipërinë, ndërsa bëri thirrje për nisjen e një fushate e cila do t`i bindë qytetarët të mos japin më ryshfet.

“Gjyqësori është një institucion më pak i besuar pasi shumica e shqiptarëve e shohin atë si të korruptuar. Ndjekja penale e suksesshme kërkon mbështetjen e të gjithëve. Kjo është një kohë tranzicioni për Shqipërinë, por veç kësaj kjo kohë siguron edhe mundësi. Kemi nevojë që publiku të denoncojë dhe të jetë bashkëpunues për luftën ndaj korrupsionit në administratën publike. Është me rëndësi nisja e një fushate për të bindur shqiptarët të reshtin të paguajnë ryshfet”,- u shpreh Arvizu.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka kërkuar nga njësitë e hetimit angazhim maksimal për rastet e korrupsionit, ndërsa paralajmëroi se do të kontrolloj rastet konkrete.

“Organi i hetimit ka përgjegjësinë më të madhe në luftën ndaj korrupsionit dhe  sfida e luftës ndaj korrupsionit kërkon bashkëpunim. Kam ofruar të gjithë ndihmën dhe përvojën për të nxitur dhe rritur luftën ndaj korrupsionit. Nga drejtuesit e Task-Forcës që lufton korrupsionin kam kërkuar raporte mujore për hetimin e korrupsionit. Këto njësi kanë garanci për një funksionim normal dhe aty do të atashohen prokurorë me eksperiencë për të luftuar me eficencë korrupsionit. Kërkoj më shumë angazhim nga njësitë e hetimit dhe do të kontrolloj rezultatet e tyre konkrete. Qytetarët kanë pritshmëri të lartë në luftën anti-korrupsion prandaj kërkohet angazhim maksimal”,- tha Llalla.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.