Arratisje spektakolare të 5 të burgosurve, midis të cilëve 1 shqiptar. Vetëm në 5 minuta

Postuar në 15 Maj, 2013 07:15

 

ZVICËR- Dje ka ndodhur një arratisje spektakolare të pesë të burgosurve nga burgu Bois-Mernet, i Lozanës, Zvicër. Në mesin e të arratisurve janë edhe një shtetas nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria. Shefi i grupit është një serb 45-vjeçar i cili konsiderohet se i përket bandës së njohur ndërkombëtare të krimit “Pink Panther”. Kjo bandë kishte plaçkitur në vitin 2012 stoli dhe orë me vlerë prej 1.3 milion frangash në Lucern.

Arratisje ka ndodhur gjatë kohës së shëtitjes së të burgosurve në oborrin e burgut. Mëson se tre persona nga jashtë janë ngjitur me një shkallë metalike në rrethojat e burgut dhe u kanë hedhur pjesëtarëve të grupit një thes ku kishte mjete si një imitim të revoles, një shishe me lotsjellës dhe një vegël për prerje të metalit. Me këto mjete pesë të burgosurit kanë kërcënuar të burgosurit tjerë dhe gardianët, duke i neutralizuar këta të fundit. Pasi kanë prerë një pjesë të rrethojës prej teli, ata kanë kapërcyer murin e jashtëm. Vetëm njëri prej tyre nuk ka mundur të ikte pasi që e kanë kapur gardianët.

I gjithë aksioni nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta dhe duket të jetë planifikuar për një kohë të gjatë. Pas alarmit, Policia e Kantonit të Vaudit ka mobilizuar një numër të madh pjesëtarësh të saj të cilët janë vënë në kërkim të të arratisurve. 20 patrulla policore janë vënë në veprim dhe janë bllokuar një numër rrugësh. Ndërkohë është ngritur kërkim në nivel të Zvicrës dhe ndërkombëtar për kapjen e personave të arratisur.

Pesë personat e ikur kanë qenë të vendosur në një pavijon të përbashkët të burgut. Shefi i tyre, një serb 45-vjeçar është një person shumë i njohur për policinë pasi si pjesëtar i bandës së njohur “Pink Panther” ka kryer një numër të madh deliktesh. Ai, ashtu sikurse edhe dy të tjerë ka qenë në burgun për hetime. Njëri prej tyre, shtetasi shqiptar i moshës 34-vjeçare po mbahej në burg për shkelje të rënda të ligjit për lëndë narkotike. Një boshnjak 31 dhe një kosovar 22-vjeçar po mbaheshin në burg për grabitje, shkaktim dëmi material dhe prishje të rendit. I pesti është një francez 47-vjeçar, i burgosur për vepra të ndryshme të dhunshme.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.