Arratiset i burgosuri i tretë gjatë lejes, i mbetet 20 mijë lekë borxh drejorit

Tiranë Një i dënuar me 12 vjet burg për grabitje me armë nuk është kthyer në qeli pas lejes pesëditore, duke shënuar kështu rastin e tretë në më pak se një muaj. Afrim Zeneli, nga Kukësi, duhet të kthehej në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Burrel mesditën e djeshme. Fillimisht është menduar se i dënuari nuk ka patur mundësitë ekonomike për të paguar udhëtimin, por ai nuk është gjendur në banesë pas verifikimeve të kryera. Drejtoria e Burgjeve nuk bëri asnjë koment mbi arratinë e tretë radhazi në më pak se një muaj, edhe pse pak ditë më parë u deklarua se pezullohen të gjitha lejet në burgje. Arben Tusha, drejtor i çështjeve ligjore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, i kontaktuar nga “Mapo” tha se nuk e kanë ende informacionin e plotë për rastin në fjalë. I pyetur nëse i dënuari Afrim Zeneli ishte gjendur ose jo në banesë, Tusha tha se për momentin nuk mund të thuhet asgjë. Por sipas burimeve mësohet se Afrim Zeneli i dënuar për grabitje me armë të shtetasve kosovarë që vinin në Shqipëri nuk është gjendur në banesën e tij. Pesë ditë më parë ai kishte përfituar leje nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel për të vizituar bashkëshorten e tij shtatzënë. Drejtoria e Burgut në Burrel, bëri të ditur se ditën e largimit, Afrim Zeneli nuk kishte para për të paguar udhëtimin. Për këtë arsye drejtori i burgut të Burrelit, Demir Çupi i ka dhënë 20 mijë lekë të vjetra të burgosurit, me qëllim që ai të shkonte pranë familjes së tij. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, Zeneli duhej të kthehej në qeli. Fillimisht personel i burgut ka dyshuar se i burgosuri nuk ka patur para për të paguar udhëtimin e kthimit në burg. Një grupi i gatshëm i Drejtorisë së Burgjeve është nisur drejt banesës së tij në Kukës dhe pas verifikimeve ka rezultuar se ai nuk ndodhej aty. Menjëherë është bërë shpallja në kërkim e të dënuarit, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet rreth procedurës së dhënies së lejes. Afrim Zeneli rezulton person me precedent të mëparshëm sa i takon arratisjeve nga burgu. Në vitin 2003, ai së bashku me dy shokë të tij është larguar nga qelitë e paraburgimit në Kukës pasi kishin sharruar hekurat e dritares. Më pas ai është arrestuar dhe dënuar me 12 vjet burg për akuzën e “grabitjes me armë” në bashkëpunim dhe largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit. Burimet thanë se Afrim Zenelit i kishin mbetur rreth 6 muaj burg për të shlyer nga dënimi prej 12 vitesh heqje lirie. Ky është rasti i tretë në më pak se një muaj që të burgosurit nuk kthehen në qeli pas përfundimit të lejes shpërblyese. Më 10 maj të këtij viti një i dënuar me 22 vjet burg për vrasje nuk është kthyer në qeli pas përfundimit të lejes 7-ditore. Ilir Avdillari, i njohur si një eksponent i rrezikshëm i bandave të kryeqytetit në vitet 1997-1998, u arrestua dy ditë pas arratisë në qytetin e Rrogozhinës. Por vetëm një ditë pas arrestimit të tij, një tjetër i dënuar u “arratis me leje” nga burgu i sigurisë së lartë të Peqin. Romeo Rustemaj me banim në Vlorë nuk u kthye në vendin e vuajtjes së dënimit në burgun e Peqinit pas lejes së dhënë nga autoritetet përkatëse. Rreth një muaj më parë policia arrestoi drejtorin e burgut të Shënkollit për korrupsion me lejet e të burgosurve. Përgjimet zbuluan se në një rast Valentin Miri kishte marrë 100 euro ryshfet për një të dënuar që kishte përfituar tri ditë leje.
MAPO
Add new comment