Apeli i rrallë: Zoti hajdut, të lutem më kthe makinën!

Postuar në 02 Gusht, 2013 08:39

Kolë Gjomarkaj ka filmuar skenën e vjedhjes së makinës së tij dhe i kërkon hajdutit t’ia kthejë në këmbim të faljes. Çdo natë në Tiranë vidhen 2-3 makina, autorët mbeten të panjohur për policinë

Nga makina e vjedhur i ka mbetur veçse kaseta e skenës së krimit me imazhin e hajdutit. Por Kolë Gjomarkaj e kthen mërzinë në forcë. Burri rreth të 40-ve i ka bërë një apel të pazakontë hajdutit të makinës së tij, duke i kërkuar me zemër në dorë t’ia kthejë atë dhe dokumentet që ndodheshin brenda saj. “Zoti hajdut, të lutem më kthe makinën. Është veçse një benz i vjetër dhe më shumë se makina vlejnë dokumentet e familjes që kisha brenda”, – thotë Gjomarkaj para kamerave. Ai e ka denoncuar vjedhjen në polici, prej nga konfirmohet se falë pamjeve filmike është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori. Por Kolë Gjomarkaj shkon edhe më tej, duke i ofruar faljen hajdutit në këmbim të makinës së tij. “Jam gati ta fal, e madje edhe t’i jap një kafe”, – shton ai, ndërsa tregon se bashkë me makinën i janë zhdukur edhe pasaportat e fëmijëve dhe dokumente të tjera të rëndësishme për të. Sipas pamjeve të ofruara prej tij, grabitja e makinës ka ndodhur brenda disa sekondash, në rrugën “Gramoz Pashko” në kryeqytet. Por Kolë Gjomarkaj nuk është i vetmi që ka vuajtur pasojat e hajdutërisë së makinave në Tiranë. Sipas policisë, çdo mbrëmje në kryeqytet vidhen 2 deri në 3 makina, të cilat rrallëherë gjenden nga shërbimet e policisë. Statistikat e këtij krimi janë në rritje në Tiranë, ku me raste policia ka zbuluar edhe rrjete të organizuara që nga vjedhja e deri tek çmontimi i makinave e shitja e tyre në një kohë rekord për pjesë këmbimi. Në rastin e Kolë Gjomarkajt, e gjitha vjedhja është e filmuar nga kamerat e sigurisë të instaluara në shtëpinë e tij. Një kopje e këtyre pamjeve është dorëzuar në polici së bashku me kallëzimin. Prej 4 ditësh ai vazhdon ta kërkojë edhe privatisht nëpër vendgrumbullimet e hekurave apo në disa servise makinash në veri të vendit, ku më së shumti përfundojnë karkasat e makinave të vjedhura në Tiranë. Gjomarkaj tha dje për mediat se ka besim tek Policia e Shtetit, por më së shumti ka besim tek forcat e veta, ndaj edhe po përpiqet të prekë hajdutin ose të gjejë të paktën mbetje të makinës së tij. Krimi i vjedhjes ka shënuar një kurbë gjithnjë e në rritje në qytetin e Tiranës, ku goditjet më të mëdha janë ndaj bizneseve, shtëpive dhe makinave. Ky krim i rrugës është edhe më i vështiri për t’u zbuluar nga policia, shifrat e së cilave janë gjithnjë e më larg autorëve të këtyre grabitjeve.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.