Anulimi i koncesioneve, Mima: Akte të pastra abuzive

Postuar në 02 Tetor, 2013 04:24

TIRANË Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima deklaroi dje se me anulimin e shumë koncesioneve në hidroenergjetikë, Rama po tregon se 23 qershori për të ishte data 0 dhe se çdo gjë e mëparshme duhet të zhbëhet. “Partia Demokratike ka qenë e para që e ka inkurajuar qeverinë e re që të hulumtojë e investigojë me lupë në dorë çdo koncesion, leje a privatizim të aseteve publike, por fakti që kjo nuk ndodh dhe qeveria zgjedh rrugën e anulimit bazuar vetëm në datën 0, na jep arsye të forta për të besuar se i vetmi qëllim është që subjektet të cilat u prekën dje, por edhe të tjera që do të preken në ditët në vijim, të fillojnë të vendosin kontakte me zyrat speciale a me persona të caktuar afër qeverisë. Partia Demokratike inkurajon dhe trimëron të gjithë investitorët të qëndrojnë fort e të mos thyhen përballë asnjë presioni korruptiv. Ligjshmëria do të fitojë mbi çdo përpjekje për të nënshtruar ligjin me akte të pastra korruptive e abuzive dhe të nxjerra në shpërdorim të pastër të detyrës zyrtare”, – tha dje Mima. Po dje PD-ja akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama se po shkatërron INSTAT-in. “Qeveria e re ka nisur një proces shkatërrimi në vend të procesit të Rilindjes. Vendimi i qeverisë së re është që të tregojë atë që tha Rama në Kuvendin e Shqipërisë ‘do të shihni, pasi kjo nuk është asgjë’. Dhe po shihet se si po shkatërrohen objektet. Dua të denoncoj shkatërrimin e Institutit të Statistikave me shkarkimin e anëtarëve të bordit të këtij institucioni. Arsyeja e shkatërrimit të bordit është që Edi Rama të ketë gjithçka nën kontroll, pasi bordi ka qenë mjaft i kualifikuar”, – tha dje deputeti Sherefedin Shehu.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.