Ankandi i bonove, Financat mbajnë frymën

Zhvillohet sot procedura e blerjes së borxhit 250 milionë USD te bankat dhe BSH
Interesat - Në ankandet e fundit janë regjistruar norma në ulje të interesave, nën 6 për qind
I shumëpërfoluri ankandi i bonove me vlerë 25.4 miliardë lekë (rreth 250 milionë dollarë), pritet të zhvillohet sot, sipas procedurave të organizuara nga Banka e Shqipërisë. Në kushtet kur qeveria ndodhet në vështirësi financiare për shkak të mungesës së të ardhurave nga tatimet dhe doganat, dhe përball nevojë për të mbyllur hesapet, jo vetëm për pagat dhe pensionet, por edhe për faturat e prapambetura ndaj kompanive private, rezultati i ankandit pritet me mjaft interes.
Në fakt, analistët e tregut e konsiderojnë normale këtë procedurë, pasi qeveria “ushqehet” me likuiditete nga bankat private dhe banka e Shqipërisë, sipas pjesës që i takon, por në kushtet kur borxhi publik sa vjen dhe rritet, kritikat për dozën e lartë të financimit, janë të shumta, deri në dyshime për larje “hesapesh” të qeverisë në ikje për “klientët” e saj.
Në shumën prej 250 milionë dollarë, pritet që BSH, do ta mbështesë qeverinë me financim në masën e rreth 65 për qind. Kështu, do të ofrohen për shitje 9 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12-mujor dhe 16.4 lekë bono me afat maturimi 6-mujor (maturimi – afati i shlyerjes). Duhet thënë se bankat kanë shumë likuiditet në dispozicion, element ky tepër pozitiv, dhe optimist në asketin psikologjik të vendimmarrjes në ekonomi, por ccëhstja shtrohet te eficianca dhe shpërndarja e këtyre kursimeve që kanë bankat, pasi deri më tash rezulton se “përfituesi” i vetëm ëhstë qeveria.
Kreditimi në ekonomi ka rënë në nivele të ulëta, me trend rënës, dhe rritje më pak se një 1 për qind, në një kohë kur para krizës, 2008-2009, kreditimi për ekonominë ishte në shkallën e 50-60 për qind.
Kjo është shuma më e madhe që shpallet për shitje në një javë të vetme, që nga janari 2013, ku u nxorën për shitje rreth 27 miliardë lekë bono. Në të tilla përmasa financimi ishte edhe ankandi i fillimvitit 2009, kur demokratët hynë në zgjedhje, duke siguruar mandatin e dytë.
I gjithë problemi qëndron te shpenzimet, pasi kanë dalë jashtë parashikimit, me rritje të konsiderueshme, si efekt i fushatës elektorale, dhe tashmë qeveria nuk është në gjendje të menaxhojë situatën buxhetore. Nga taksat dhe tatimet qeveria nuk po vjel sipas planit, madje rezulton më keq se viti 2012, me mbi 8 miliardë lekë. Shpenzimet si 5-mujor ishin të larta, duke shkaktuar një nivel deficiti në 20 miliardë lekë më tepër se plani, në një kohë kur vendi duhet të ruante rezervën për pjesën e mbetur të vitit. Qeveria ka ezauruar 90 për qind të deficitit dhe tashmë po shikon nga bankat.
Ekspertja e financave, Ermelinda Meksi, thotë për gazetën “Shqip” se është krijuar një gjendje ku “po merret borxh për të shlyer borxhin” dhe se nëse vijohet me këto ritme, mund të përballemi me kushtet e pamundësisë së shlyerjes së pagave dhe pensioneve, ndërsa për investime nuk bëhet fjalë fare. Këta të fundit janë stopuar, me anë të një shkrese të Ministrisë së Financave, e cila ka kërkuar nga institucionet ngrirjen e shpenzimeve për disa shërbime.
SHQIP
Add new comment