Anëtari i LSI-së në KQZ. Muho: Nuk dorëhiqem; Wolfarth: Të veprohet sipas Kushtetutës

Përkundër vendimit të mazhorancës për shkarkimin e Ilirjan Muho si anëtar i KQZ-së, ai deklaron se nuk është i ndikuar aspak nga kjo situatë. Sot ai ka qenë i pranishëm në testin e KQZ-së për projektin pilot të numërimit elektronik të votave për qarkun e Fierit. Në një prononcim për mediat, Muho deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, duke argumentuar se është në ushtrim të plotë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese.
“Gëzoj shëndet të plotë. Nuk kam munguar në asnjë mbledhje. Nuk shoh asnjë arsye pse duhet të shkarkohem nga detyra” ka thënë ai duke argumentuar më tej se pavarësisht se është propozuar nga LSI-ja, ai është betuar para Kuvendit për të treguar paanësi gjatë detyrës. “Jam anëtar i KQZ. Është i vërtetë fakti se jam kandidaturë për LSI, por në momentin e përzgjedhjes së kandidaturës sime gjeti mbështetje dhe tek mazhoranca e asaj kohe. Pas seleksionimit të kandidaturave u paraqit kandidatura ime dhe në fillim të detyrës u betova para Kuvendit për punën time. Udhëhiqem nga ligji dhe vetëm nga ligji”, tha Muho. Ndërkaq ai nuk ka preferuar të komentojë deklaratat politike mbi qëndrimin në KQZ.
I pranishëm në testimin e projektit, edhe kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, i cili ka deklaruar se Kushtetuta përbën bazën dhe pastaj vijnë ligjet dhe çdo gjë duhet bërë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.
“Në fakt është e rëndësishme të ketë punë apolitike nga KQZ dhe kjo që po shoh këtu tregon se po bëhet punë e mirë dhe kjo është e rëndësishme. Kushtetuta përbën bazën dhe pastaj vijnë ligjet dhe çdo gjë duhet bërë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve dhe pastaj çdo gjë bëhet më e lehtë.
Por, është e rëndësishme që për zgjedhjet që do zhvillohen të mbahet mend sovraniteti dhe njerëzit janë ata që vendosin për votën”,- tha ambasadori Wollfarth.
SHQIP
Add new comment