Amnesty, kritika qeverisë për romët

Amnesty International reagon sërish për çështjen e romëve, pas dëbimit nga banesat e tyre duke thënë se: “As autoritetet e bashkisë dhe as qeveria nuk bënë asgjë për t’i ndihmuar ata të gjejnë një strehim tjeter”.
“Familjet rome, disa prej të cilave kishin 10 vjet që qëndronin në ish-qendrën për realizimin e punimeve artistike, në rrugën e Kavajës në Tiranë, u nxorrën me forcë nga banesat e tyre më 7 gusht”, vërehet në një komunikatë.
Amnesty International shkruan për shembjen e shtatë prej tetë banesave, përpara se policia t’i përgjigjej thirrjeve të zyrës së Avokatit të Popullit dhe OSBE-së në Tiranë dhe të ndalonte dëbimin dhe shembjet e mëtejshme.
Drejtori i përgjithshëm i policisë urdhëroi gjithashtu kompaninë të ndalojë punën në këtë vend dhe të kërkojë ndalimin e ndërtimit derisa të jepet zgjidhja e strehimit.
Duke shpjeguar largimin e të gjithë familjeve rome, pavarësisht se disave prej tyre nuk u janë prishur shtëpitë, Amnesty International shkruan se ata kanë frikë të kthehen dhe shumë prej tyre kaluan natën në rrugë.
Ditët e fundit në lëvizje për këtë çështje kanë qenë BE, OSBE dhe Avokati i Popullit, institucion i cili një ditë më parë deklaroi se do të padisë Bashkinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit për mosreagim në zgjidhjen e problemit.
Top channel
Add new comment