Amerikanët nderojnë viktimat e 11 shtatorit

Ceremoni solemne u zhvilluan në New York, Washington dhe Pennsylvania për nder të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Gati 3,000 njerëz humbën jetën në këto sulme të organizuara nga terroristë të al-Kaidës.
Në New York, familje, miq të viktimave dhe personalitete të ndryshme u mblodhën në vendin ku para 12 vjetësh ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregëtisë, të cilat u goditën nga aeroplnaët e rrëmbyer nga terroristët.
Në atë që është bërë traditë e përvitshme, në Nju Jork u lexuan emrat e viktimave.
Familjarë të viktimave lexuan emrat dhe dhanë mesazhe për të dashurit e tyre të humbur.
Ndërkohë, në Washington, President Barack Obama, Zonja e Parë Mishelle, nën presidenti Joe Biden dhe gruaja e tij, Dr. Jill Biden dhe personalitete të tjera mbajtën një moment heshtje në orën 8:46 kur aeroplani i parë goditi njërën prej kullave binjake në Nju Jork.
Më pas, president shkoi në Pentagon, ku mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar për pjesëtarët e familjeve të më shumë se 100 njerzve të vrarë aty kur një aeroplan tjetër i rrëmbyer goditi departamentin amerikan të Mbrojtjes.
“Ne lutemi për kujtimin e atyre që humbëm, gati 3,000 shpirtëra të pafajshëm. Zemrat tona rrahin ende me dhimbje për të ardhmen e tyre që u ndërpre papritur”.
Një ceremoni tjetër përkujtimore zhvillohet në Shanksville të shtetit Pennsylvania, ku aeroplani i katërt i rrëmbyer u përplas në një fushë, duke vrarë të 33 pasagjerët dhe 7 anëtarët e ekuipazhit.
Aeroplani u rrëzua ndërsa pasagjerët përpiqeshin të rimerrnin kontrollin e aeroplanit nga rrëmbyesit, që besohet se ishin drejtuar për në Washington.
Të afërmit e viktimave morën pjesë dje në një ceremoni për ndërtimin e një qendre vizitorësh në momerialin e fluturimit numër 93.(voa)
PANORAMA
Add new comment