Ambasadori shqiptar në Austri: Florije Peçi ka pasur kujdes maksimal gjatë kurimit

Florije Peci ka pasur kujdes maksimal gjatë kurimit të saj në Austri”.
Kështu është shprehur në një lidhje telefonike për “Gazeta Shqiptare”, ambasadori i vendit tonë në Austri, Vili Minarolli. Ai është shprehur se nga ana e autoriteteve austriake, ashtu edhe nga ato shqiptare ka pasur një përkujdesje maksimale për kurimin e 22-vjeçares nga Librazhdi, duke përjashtuar çdo mundësi abuzimi me të.
“Ka pasur një përkujdesje maksimale për vajzën, Florije Peçi, si nga pala austriake, ashtu edhe nga ana shqiptare. Është e pamundur që të jetë abuzuar me të”-nënvizon Minarolli.
Ai shton gjithashtu se duhet të priten rezultatet e hetimeve të institucioneve përkatëse.
“Pas kësaj ngjarjeje, unë ende nuk kam komunikuar me autoritetet austriake, por duhet të them se duhet të mos nxitohemi dhe të presim rezultatet e hetimeve për të nxjerrë konkluzione të mëtejshme”, pohon ambasadori i, Vili Minarolli.
Ai thekson se gjatë kurimit të vajzës në Austri ka pasur një kujdesje maksimale.
“E kam ndjekur nga afër kurimin e Florije Peçit dhe mund t’ju them se ndaj saj ka pasur një përkujdesje maksimale. Gjatë kohës së kurimit në Austri, kam kontaktuar edhe me familjarët e saj, me vëllain, të cilit i kam kërkuar që të kontaktonte me mua për çfarëdo nevoje që ata do të kishin”, përfundon bisedën e tij, ambasadori Minarolli.
Tashmë, Florija është e shtruar në një nga maternitetet e kryeqytetit, në muajin e gjashtë të shtatzanisë, e cila me shuma gjasa mund të ndërpritet, pasi kjo ka qenë edhe dëshira e Florijes.
TEMA
Add new comment