Ambasadorët: Prioritet, integrimi në BE

Kreu i Prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe ambasadori në ikje i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, të cilët e kanë ndjekur nga afër zhvillimin e seancës plenare, e kanë cilësuar si ditë historike çeljen e punimeve të sesionit të ri parlamentar. Ambasadorët pas mbylljes së punimeve të Kuvendit, në një prononcim për mediat i kanë bërë apel klasës politike që të fokusohet tek integrimi europian i vendit. “Mendoj se është një ditë e rëndësishme. Sot është një ditë historike, pasi ky parlament nis me prioritete të pastra integrimin në BE, të cilën shpresoj se do e marrë së shpejti”, – tha Sequi. “Dëshiroj t’u shpreh përgëzimet më të mira në emër të SHBA-së, 140 deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë. Rreth 40% janë të rij dhe 40 % prej tyre po rikthehen. Gjithashtu, shumë i kënaqur me numrin e grave të zgjedhura si deputete dhe në qeveri. Qartazi, kjo është ditë për t’u festuar për popullin shqiptar, por ka shumë punë për t’u bërë. Të gjithë do jenë këtu, presim me kënaqësi zhvillimin e debateve konstruktive që do të zhvillohen për axhendën europiane të vendit. Sa i përket SHBA-së, jemi të kënaqur që kemi marrëdhënie të shkëlqyera si me mazhorancën e vjetër, ashtu edhe atë të re”, – tha ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
MAPO
Add new comment