Ambasada e SHBA: Rrezik bombash në parkingje

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të SHBA-së në Tiranë duket se i konsideron rastet e shpërthimit të makinave në Shqipëri gjatë muajve të fundit si epidemike, aq sa ka paralajmëruar qytetarët dhe punonjësit e vet “të jenë të kujdesshëm” kur zgjedhin vendin ku parkojnë makinat e veta.
Gjatë muajve të fundit, shumë makina kanë shpërthyer në Shqipëri si pasojë e bombave të vëna për to.
“Ambasada e SHBA-së në Tiranë kërkon vëmendjen e nënshtetasve amerikanë në lidhje me raportet e kohëve të fundit në media, të cilat vënë në dukje përdorimin në rritje të pajisjeve eksplozive të vogla të dizenjuara për të shkaktuar dëme në pronë në sulme të shënjestruara kundër individëve të ndryshëm në Shqipëri,” thotë njoftimi i Ambasadës drejtuar nënshtetasve të vet. “Viktimat në përgjithësi kanë patur mosmarrëveshje personale apo biznesi. Në shumicën e rasteve, mjetet shpërthyese kanë shënjestruar makinat bosh të viktimave dhe kanë rezultuar në dëme të pakta e nuk ka patur raportime për vdekje. Përdorimi në rritje i këtyre pajisjeve shkaktoi shqetësim mes shumë banorëve. Personeli i ambasadës së SHBA-së është këshilluar të jetë e kujdesshme kur parkon makinat dhe të përdorin praktika sigurie personale të shëndosha. Nënshtetasit amerikanë duhet të monitorojnë median vendore dhe njoftimet e qeverisë së Shqipërisë në lidhje me shqetësime të tilla. Ne nxisim qytetarët amerikanë për masa sigurie personale të mira. Të mbajnë një nivel të lartë vigjilence si dhe masa të përshtatshme për sigurinë personale,” thotë ambasada e SHBA-së.
Njoftimet në lidhje me sigurinë jepen nga ambasadat kur një fenomen merr përmasa shqetësuese përtej të zakonshmes. Gjatë muajve të fundit në Shqipëri, ka patur shumë raste kur makinat kanë shpërthyer në ecje apo të parkuara. Ambasada duket se dallon një pajisje të posaçme me fuqi të vogël shpërthimi të përdorur në shumë sulme. Qeveria shqiptare ndërkohë nuk ka dhënë asnjë paralajmërim specifik.
Top Channel
Add new comment