Aldo Bare: Më rrahën në qeli, më thanë pse flet me Ramën

Postuar në 13 Prill, 2013 03:40

 

Nikoleta Kovaçi

-Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka organizuar një sulm të pisët ndaj shefit të opozitës Rama, duke sajuar një bisedë telefonike me Aldo Baren. Një grup personash, të cilët dyshohet se kanë qenë punonjës policie, por nuk dihet se çfarë lloj policie, kanë ndërmarrë një sulm fizik në ambientet e burgut të sigurisë së lartë, ndaj Alfred Shkurtit, të dënuarit me burgim të përjetshëm, nën “nofkën” Aldo Bare. Ngjarja Dhuna mësohet se ka ndodhur pasditen e dy ditëve më parë, ndërsa rrëfimin i burgosuri ia ka besuar avokatit të tij mbrojtës, Isuf Shehu. “Shekulli” mësoi detajet e dhunës pikërisht nga komunikimi me mbrojtësin e atij që për më shumë se 15 vite ishte drejtuesi i një ndër bandave më famëkeqe dhe më të përgjakshme në vend. I burgosuri i Aldo Bare, i cili vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Korçë, mësohet se jo vetëm është sulmuar befasisht, por edhe është kërcënuar me jetë dhe ndaj njerëzve të familjes së tij. Kapo-banda e Lushnjes i ka treguar avokatit të tij, se sulmi fizik që iu ka bërë pasditen e dy ditëve më parë ka karakter politik, ç`ka ka bërë që mbrojtësi Shehu të ngrejë zërin ndaj këtij sulmi të pabazë dhe të padrejtë ndaj klientit të tij, i cili vuan jo vetëm dënimin përjetë. Ky persekutim është absurd, mbase ndryshe nga çdo i burgosur tjetër në qelitë e burgjeve tona. Dhuna e ushtruar ndaj Aldo Bares duket se nuk do të njohë asnjë përpjekje për ta hetuar, pasi vetë Shehu pretendon se: “Është shumë e vështirë për të bindur organet kompetente për të nisur hetimin e kësaj dhune. Fakti që kërcënimi ka karakter politik bën që për atë ngjarje të mos të ketë dëshmitar tjetër, veç vetë të dënuarit, por që s`mund të ekzistojë asnjë lloj procesverbali, pasi ato nuk mbahen”. Avokati thotë se nuk e kishte besuar versionin që i kishte dhënë klienti i tij në lidhje me shkakun e sulmit, por më pas Shehu është bindur, pasi disa orë më vonë në një emision-debat, në një prej televizioneve, ministri i brendshëm Flamur Noka është shprehur se gjoja Aldo Bare komunikon në telefon me liderin e opozitës Edi Rama. Z. Shehu, nga një informacion i mbërritur në gazetën “Shekulli” mësohet se është dhunuar në ambientet e burgut të sigurisë së lartë, Aldo Bare? Ju lutemi, ju keni komunikuar me klientin, si është e vërteta, ka ndodhur apo jo...? Po, lajmi është i vërtet. Është sulmuar nga një grup punonjësish policie. Klienti im, mbase nuk e dini, është një person krejtësisht i izoluar në ato ambiente burgu. Me sa duket nuk iu mjafton që është i sigurisë së lartë, pa e kanë izoluar në atë mënyrë siç kanë izoluar atë. Është rrahur dhe më pas edhe është kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes së tij. Kërcënuar në burg nga njerëz me uniformë? Ju tha klienti juaj se cilët ishin ata persona dhe si ka ndodhur? Duket paksa e pabesueshme z. avokat? Po, po në burg, brenda ambienteve të qelisë. Ju e dini, besoj, se ai është në Korçë, ku vuan dënimin me burgim të përjetshëm. I kanë hyrë në dhomë gjasme për kontroll rutinë. I kanë vënë prangat dhe më pas e kanë dhunuar. Më tha se e kishin futur thonjtë në fyt dhe e kishin mbajtur në ajër. Kanë ushtruar dhunë dhe më pas e kanë kërcënuar se do ta vrisnin, atë dhe familjen e tij. Më tha se nuk i njihte asnjë nga personat që kanë hyrë brenda dhe e kanë dhunuar, por më tregoi se kishin qenë të veshur me uniformë policie. I bie që mos të kenë qenë punonjës të policisë së burgjeve që janë efektivë pranë atij vend-vuajtje dënimi të sigurisë së lartë. Çfarë ka biseduar me njerëzit që e kanë sulmuar? A e ka mësuar Aldo Bare shkakun e dhunës së njerëzve me uniformë? Ai nuk e ka pritur atë mësymje. Gjithçka i ka rënë në befasi dhe kanë qenë personat që e kanë sulmuar të cilët kanë patur diçka për t’i thënë. Aldo Bare më tha se më akuzojnë se flisja në telefon me Edi Ramën dhe i kanë bërë të ditur se nëse ndodhte edhe një herë tjetër do ta shfarosnin me gjithë familje. Sinqerisht që në fillim nuk e besova, pasi unë e di se në çfarë kushtesh jeton klienti im atje, si sillen me të dhe sa i izoluar është ai person. Ai mund të jetë kriminel dhe mund te jetë gjithçka, por që në momentin kur ai vuan dënimin, atë dënim që i ka vënë gjykata, atëherë minimumi që mund të bëhet për të, është të respektohen të drejtat themelore të njeriut. Me të jo që nuk janë respektuar, por janë shkelur të gjitha. Thatë që nuk e besuat, atëherë pse pranuat të flisnit? Po, fillimisht nuk ia besova, pasi ai nuk ka, jo telefon, që s`bëhet fjalë, po ai nuk ka televizor dhe as frigorifer. Por, kur pashë ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, të thoshte në një debat televiziv se Edi Rama komunikon në telefon me Aldo Baren në burg, atëherë e besova. Atëherë vendosa edhe të flas për të, pasi është e rëndë. Jo vetëm që është një fakt krejtësisht i papërdorshëm për një ministër, i cili mbase harron që atë post e ka politik, por nëse do të ishte e vërtetë, duhej të hetohej e jo të dhunohej. Nëse do të dilte drejtori i policisë, apo ndonjë prokuror apo ndonjë funksionar që merret drejtpërdrejtë me këtë çështje O.K., por të flasë ministri, është e çuditshme. E keni denoncuar aktin e dhunimit dhe të kërcënimit me jetë të klientit tuaj z. Shehu, pasi edhe pse ai është Aldo Bare, të burgosurit duhet t’i mbrohet jeta? Ndaj po flas, mbase është e vetmja mbrojtje që mund t’i bëj në këtë rast. Sigurisht që mund të denoncohet dhuna brutale që është ushtruar ndaj tij, po ku dhe me ç`ka mund ta vërtetoj, përveç dëshmisë së vetë atij. Ata që e kanë ndërmarrë atë veprim, nuk “lënë” gjurmë gjëkundi, pasi procesverbalet e akteve aty i mbajnë ata që i kanë futur brenda për ta rrahur. Ndaj tij janë ndërmarrë akte edhe më barbare dhe asnjëherë nuk është marrë masë ndaj tyre. Kanë shkuar deri atje sa edhe kanë tentuar ta helmojnë, jo më ta rrahin. Po, si mund ta vërtetoj unë diçka të tillë, kush e pranon që është dhunuar brenda në qeli, që është kërcënuar me jetë dhe me familje nga njerëz të panjohur?!!!

 SHEKULLI

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.