Alarmi i vëzhguesve vendorë: Po vërehen lëvizje të shumta të popullatës

Raporti i parë për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit identifikon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin më problematik.
Koalicioni i vëzhguesve vendorë në raportin e ndërmjetëm nga 21 rekomandime në total, 12 ia ka kushtuar KQZ-së, që sipas tyre në këto muaj ka treguar performancë të ulët dhe mungesë profesionale, ndërkohë që nuk kane munguar edhe ndikimet politike në punën e 7 anëtarëve.
Sipas këtij raporti, një pjesë e madhe e përgjegjësisë për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve bie mbi partitë politike, të cilat duhet ta fillojnë fushatën në 23 maj siç parashikon kodi, ndërkohë që duhet të shmangin përdorimin e administratës apo fëmijëve gjate kësaj periudhe. Një tjetër shqetësim i ngritur nga koalicioni i vëzhguesve vendorë është edhe përgatitja e listave të zgjedhësve, për shkak të numrit të madh të votuesve pa adresë dhe dublimeve të shumta.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë se në një pjesë të njësive vendore janë shkelur afatet ligjore të ekspozimit të listave të votuesve dhe në një pjesë tjetër të madhe votuesit nuk janë njoftuar me shkrim për qendrën e votimit, ndërkohë që janë vërejtur lëvizje të konsiderueshme të popullatës nga zona të ndryshme.
Koalicioni i vëzhguesve vendorë shprehu skepticizmin e vet edhe për eksperimentin që po bëhet për numërimin elektronik të votave në Fier, me idenë që të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin. Procedurat e eksperimentit elektronik po zvarriten, me gjithë janë shumë të kushtueshme, pohuan ata, duke theksuar ndërkohë që mosbesimi midis partive konkurrente është aq i madh sa ata nuk u besojnë as numërimit me dorë nga militantët e vet komisionerë. Aq i madh është mosbesimi, pohojnë ata, sa nuk mund ta shuajë asnjë numërim votash me kompjuter, nëse nuk do të ekzistojë vullneti i mirë i palëve për të mbajtur zgjedhje të rregullta.
TEMA
Add new comment