AKIP: Qeveria të ndalë importin e plehrave, kanë hyrë 700 mijë ton mbeturina nga jashtë për një vit

Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka shprehur shqetësimin për vendimet e shpeshta të qeverisë në këtë kohë për t’i hapur rrugën importit të plehrave.
Sipas tyre, në total qeveria ka lejuar vetëm për vitin 2012 që të hyjnë në Shqipëri 700 mijë ton plehra, aq sa është prodhimi brenda në vend.
“Plehrat tani në Shqipëri hyjnë nga të katër anët e kufirit dhe shkarkohen në fabrikat e ngritura pranë kufirit, pikërisht për të trajtuar plehrat e importit. Kërkesat e kompanive për import janë në mesatare 90% të kapacitetit të tyre.
Të gjitha kompanitë nuk kanë asnjë garanci që plehrat që ato importojnë nuk përmbajnë substanca të rrezikshme. Ato operojnë kryesisht me zërin “plastika të tjera” duke futur në Shqipëri me dhjetëra lloje të përziera, jashtë çdo mundësie verifikimi në Shqipëri, duke futur praktikisht mbetje të rrezikshme në territor dhe me sasi të mëdha,” thuhet në deklaratën e AKIP.
“Fabrikat e përpunimit të plehrave nuk plotësojnë standardet e kërkuara as të legjislacionit vendas e për më tepër të Bashkimit Europian. Mbetjet e tyre teknologjike, përfshi ato të importit, që të gjitha përfundojnë në ambient të hapur me pasoja të rënda për mjedisin e shëndetin, ose në landfillet e qyteteve,” vijon deklarata.
AKIP i ka bërë thirrje qeverisë që të ndalojë dhënien e lejeve për import plehrash deri në formimin e qeverisë së re./ep
TEMA
Add new comment