AK: Koalicioni i tradhtarëve po shkatërron zgjedhjet, do i drejtohemi Kushtetueses

Postuar në 31 Janar, 2013 14:28

 

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar pas vendimit të Kuvendit, që me votat e mazhorancës la sot në fuqi shpërndarjen e mandateve të deputetëve sipas vitit 2009. Aleanca ka thënë se koalicioni i tradhtarëve po shkatërron zgjedhjet, duke mos dëgjuar kështu apelin e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu. Partia e drejtuar nga ana e Kreshnik Spahiut ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta hedhur poshtë këtë vendim.

“Aleanca Kuq e Zi reagon ashpër për ndarjen e mandateve nga Kuvendi sipas skemës së vitit 2009. Aleanca Kuq e Zi i cilëson atentatorë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë 72 deputetët e Parlamentit Shqiptarë, që votuan pro ndarjes së mandateve nga Kuvendi dhe jo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Për Aleancën Kuq e Zi koalicioni i tradhtarëve po shkatërron zgjedhjet e 23 qershorit, duke e kthyer vendin shumë vite pas, ku zgjedhjet nuk kanë gëzuar asnjëherë standarde demokratike. Kuvendi shpërfilli mesazhin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexandër Arvizu për këtë çështje kaq të ndjeshme për të ardhmen e vendit dhe themelet e demokracisë”.

Aleanca Kuq e Zi do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e këtij vendimi, që cenon rëndë themelet e demokracisë dhe ku shqiptarëve i mohohet e drejta për të votuar si barabartë. Me standardin e miratuar nga Kuvendi dy vota në Tiranë janë të barabarta me një votë në Tropojë. Aleanca Kuq e Zi i drejton apel institucioneve ndërkombëtare, që veprojnë në Shqipëri, që të reagojnë për këtë vendimmarrje të “kasapit” të votës së lire”, thuhet në deklaratën e Aleancës Kuq e Zi.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.