AK: Berisha të kërkojë falje për marrëveshjen detare me Greqinë

Postuar në 03 Dhjetor, 2012 13:52

Pas deklaratës së kryeministrisë se mbledhja e radhës së qeverisë do të zhvillohet në Vlorë, ka reaguar edhe Aleanca Kuq e Zi. Sekretari i Përgjithshëm i AK-së, Prof.Myslim Pashaj, në një deklaratë për shtyp ka kërkuar nga kryeministri Berisha që para se të zhvillojë mbledhjen në Vlorë, t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve për marrëveshjen detare me Greqinë.

“Të vërtetat kombëtare duhen thënë ashtu siç i pat thënë dhe pat shpresuar qeveria  e Ismail Qemalit para një shekulli. Ne i themi shtetasit Berisha që kryeson qeverinë, para se të hapë atë derë të shenjtë, të asaj ode shqiptare, para se të  ulet në atë poltron dhe ndenjëse që frymëzon historinë, t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve, përkëndej në shtetin amë dhe për andej në Kosovën e mëvetme, shqiptarëve në Iliridën e Maqedonisë perëndimore në Mal të Zi në Luginë e Preshevës. Të kërkojë falje për veprën antikombëtare të kryer tre vjet më parë, teksa buzëqeshte kur firmëtarët: Ministrja e Jashtme e Greqisë Bakojanis dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulëzim Basha, nën shikimin e dy kryeministrave, ndezën fishekzjarre, firmosnin dhe pritnin hapësirat detare të Shqipërisë, për t’ia dhënë fqinjit jugor, ashtu siç u pre tragjikisht kufiri i Shqipërisë etnike, më 1913”.

Të kërkojë falje për këtë vepër antikombëtare, atë e kërkon shikimi i Ismail Qemalit dhe i ministrave të tij të paharruar Luigj Gurakuqi, Dom Nikol Kacorri, Lef Nosi, Pandeli Çale, Mehmet Pashë Dërralla, Myfit Libohova, Petro Poga, Mi’hat Frashëri, Abdi Toptani, që u tretën dhe u vranë për këtë dhe e për këtë det të Ilirisë. Të mos ulet aty, në atë odë e në atë poltron, për t’ia filluar sërish me mashtrimin e flamurit të çështjes kombëtare, që e pamë ta rrokte, këto ditë të përkujtimit të mëvetësisë për t’u fshehur ndaj tradhtisë së tij tanimë të dëshmuar”, ka thënë Pashaj. AK ka akuzuar Berishën se për një vit rresht ka bërë avokatinë më të turpshme për të realizuar projektin e tij antikombëtar: “të cenimit të integritetit territorial detar, të dhurimit të hapësirave ekonomike ekskluzive me rezerve të mëdha  hidrokarburesh e pasuri të tjera. Të kërkojë falje që s’e ka bërë kurrë, sepse ruan poltronin e tij të pushtetit antidemokratik, me dëshmi të tjera, që lidhen me hierarkinë në rritje të aktorëve të shkollës së tij, me në krye Lulëzim Bashën, Arben Imamin dhe një eskortë negociatorësh që nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë. Një akt i tillë do ta çlironte atë nga brerja e ndërgjegjes nëse ka, sepse ndryshe ai do ta përdhos këtë tempull të shenjtë të shqiptarëve, kur ministra të kabinetit të tij do të ulen atje ku u ulën ikonat e shqiptarizmës. Ju shtetasi Sali Berisha nuk mund të bëni dot katarsis, sepse jeni të rënduar edhe nga shumë vepra të tjera antikombëtare, të cilat në mos sot po nesër domosdo,  do të dalin në shesh e do t’u bëhet drejtësia e merituar”, ka përfunduar Myslym Pashaj.

3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.