Ahmeti uron Ramën: Gati për bashkëpunim

SHKUP- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar i pari ndër liderët shqiptarë të Maqedonisë, kryeministrin e votëbesuar të Shqipërisë, Edi Rama.
Vetëm pak kohë pasi Kuvendi ka votëbesuar me 85 vota “për” dhe 55 “kundër” qeverinë e re shqiptare, kreu i BDI-së i ka shprehur urimet e tij kryeministrit Rama.
“Kam nderin e veçantë që në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh përgëzimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj për Kryeministër i Republikës së Shqipërisë nga ana e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit”, ka uruar Ahmeti.
Lideri shqiptar ka cilësuar zgjedhjet e 23 qershorit si “një vendosje e standardeve të reja demokratike në Shqipëri”, që do të mundësojnë sipas tij marrjen e statusit të kandidatit për në BE, në Samitin e Dhjetorit të Këshillit të BE-së.
“Shpresoj dhe jam i bindur që Shqipëria do të marrë edhe datën për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm. Kam kënaqësinë që të shpreh gatishmërinë time dhe të të gjithë neve pranë Bashkimit Demokratik për Integrim për të bashkëpunuar në të mirën e përgjithshme dhe në lehtësimin e përafrimit të qytetarëve tanë në të gjitha fushat. Duke shprehur konsideratën time të lartë, ju uroj punë të mbarë dhe ju siguroj që tek unë do të gjeni një mik dhe bashkëpunëtor në realizimin e projektit tonë të përbashkët rajonal për integrim euroatlantik”, thuhet në telegramin e kreut të BDI-së.
PANORAMA
Add new comment