Agimi i Artë kërcënon me dhunë emigrantët dhe deputetët

Në një takim zgjedhor të partisë, kandidati për deputet i partisë Agimi i Artë, Ilia Panajotaros, lajmëroi qasjen e kësaj partie për trajtim më të mirë të grekëve në spitale dhe jo si të barabartë me emigrantët.
"Nëse Agimi i Artë hyn në Parlament, do të bëjë bastisje në spitale dhe kopshte dhe do të hedhë në rrugë emigrantët e paligjshëm dhe fëmijët e tyre, që qëndrojnë në një vend me grekët dhe trajtohen si ata”, tha kandidati nën duartrokitjet e simpatizantëve, që në zgjedhjet e 6 Majit, i bënë neonazistët një forcë parlamentare.
Duke iu referuar ngjarjes së rëndë që ndodhi para disa ditësh në Peania, ku një student grek i veterinarisë, qëlloi një shqiptar 43 vjeç, që hyri në shtëpinë e tij për të grabitur, Panajotaros e përshkroi 24 vjeçarin grek si “të fortë”, që "mori ligjin në duart e veta". "U shenjtëroftë dora e tij", tha përfaqësuesi i Agimit të Artë, ndërkohë që vetë studenti ka shprehur keqardhjen dhe pendesën e tij të thellë, për këtë akt, që siç tha, “do t’i rëndojë tërë jetën në ndërgjegje”.
Panajotaros, që me shumë gjasë mund të jetë deputet i parlamentit të ardhshëm grek, gjithashtu kërcënoi se nëse dikush në parlament, ngre një debat mbi çështjen e emrit të Maqedonisë, "po i njoftoj të shohin videon e ANT1 dhe nëse nuk e kupton, ia shpjegojmë ne..."
"Kemi parë gjithë këto kohë zonjën Kaneli në panelet televizive të bëjë atë që i pëlqen, të shajë, të pijë duhan. Por doli dikush që bëri atë që duhet të bënte", tha përfaqësuesi i Agimit të Artë, duke komentuar skenën e dhunës që ndodhi para disa ditësh në studion televizive të ANT1, ku 2 femra politikane u sulmuan fizikisht nga zëdhënësi i partisë Agimi i Artë, Ilia Kasidiaris.
Ballkanweb.com
Add new comment